LAJMI I FUNDIT:

Ferizaj befason Feronikelin në Drenas dhe ia humb pozitën e parë në tabelë

Ferizaj befason Feronikelin në Drenas dhe ia humb pozitën e parë në tabelë

Befasia më e madhe e këtij edicioni në Ipko Superligën e Kosovës ka ndodhur në Drenas, ku Ferizaj ka marrë pikët e plota ndaj Feronikelit 1-2.

Feronikeli u fut si favorit në këtë takim dhe qysh në minutat e para rrezikoi portën e mysafirëve.


Kapiteni Lapidar Lladrovci ishte i pari që rrezikoi me kokë në minutën e tretë, por që goditja e tij u prit nga portieri mysafir Mustafa.

Feronikeli vazhdoi sulmet dhe raste të mira patën edhe Dabiqaj e Mendurim Hoti por pa sukses.

Katër minuta para fundit të pjesës së parë, ishte qendërmbrojtësi Arbër Prekazi që realizoi me kokë për 1-0.

Me epërsinë minimale të vendasve përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Në pjesën e dytë mysafirët e përmirësuan lojën e tyre dhe filluan të rrezikonin më shumë.

Bashkim Shala fillimisht tentoi por që goditja e tij shkoi mbi portën e Smakiqit.

Feronikeli u kundërpërgjigj me Kastriot Rexhën, por edhe njëherë portieri mysafir Burhan Mustafa shpëtoi gol të sigurt.

Ferizaj arriti ta barazoj rezultat në 1-1 në minutën e 76-të, kur pas një gabimi të portierit Smakiqi, Ermal Krasniqi i bardhekaltërve dërgoi topin në rrjetë.

Kur të gjithë prisnin golin e Feronikelit që sulmonte vazhdimisht, Ferizaj arriti të befasojë skuadrën nga Drenasi.

Ishte përsëri Ermal Krasniqi që realizoi në minutën 90+6 për t’i dhuruar skuadrës së tij një tre pikësh të artë në luftën për mbijetesë.

Pas humbjes nga Ferizaj, Feronikeli ka humbur edhe pozitën e parë që tani e ndan me Prishtinën me nga 62 pikë të tubuara.

Ndërkohë Ferizaj pas kësaj fitore zë pozitën e 10-të me 28 pikë të grumbulluara.

Feronikeli javën e ardhshme do të përballet me KEK-un në udhëtim, ndërsa Ferizaj do të jetë nikoqir i Flamurtarit. /Telegrafi/