Federata Shqiptare e Futbollit mesa duket po tenton ta bindë qendërmbrojtësin e Hajduk Splitit, Ron Raçi për ta përfaqësuar Shqipërinë në nivelin ndërkombëtar.

23-vjeçari ende nuk ka luajtur në ndeshje zyrtare për Kosovën, ndërsa ka zhvilluar vetëm një miqësore në qershorin e vitit 2025, ku ishte titullar në fitoren ndaj Ishujve Komore.


Përzgjedhësi Franco Foda e kishte ftuar edhe për kualifikueset e Botërorit në muajin tetor, por e la në stol në sfidën ndaj Suedisë, kurse në rastet e tjera qëndroi vetëm në listën e gjerë.

Kësisoj, Shqipëria duket se po provon të përfitojë nga kjo situatë për ta bindur edhe një tjetër lojtar të Kosovës. FSHF-ja në videon që prezantoi përzgjedhësin e ri Ronaldo Maran, u pa në prapaskena një tabelë me disa lojtarë, e një prej tyre ishte ylli i Hajdukut.

Në atë tabelë përpos Raçit kishte edhe disa emra të tjerë që Shqipëria po provon t’i bindë, si Brajan Gruda i Gjermanisë dhe futbollisti që refuzoi Kosovën, Mërgim Berisha.

Ende mbetet e paqartë nëse Raçi do të pranojë të luajë për Shqipërinë në nivelin ndërkombëtar, kurse mbetet të shihet se tek e cila kombëtare do të ftohet për miqësoret e muajit qershor./Telegrafi/

telegrafi sport app