Ernest Muçi me supergol ia siguron Trabzonsporit finalen e Kupës së Turqisë

Sulmuesi shqiptar Ernest Muçi ka qenë sërish vendimtar për Trabzonsporin, duke e çuar skuadrën e tij në finalen e Kupës së Turqisë pas një fitoreje dramatike 2–1 ndaj Gençlerbirligi.
Ndeshja e zhvilluar sot (e mërkurë) u vendos në minutat shtesë, kur Muçi shënoi golin e fitores në minutën e 92-të, duke i dhënë fund një përballjeje të luftuar deri në sekondat e fundit.
Me këtë gol, Trabzonspor siguroi kualifikimin në finalen e kompeticionit, ku do të përballet me Konyaspor më 22 maj.
Sulmuesi 25-vjeçar, i cili e kompletoi gjithë takimin, po kalon një formë shumë të mirë këtë sezon.

Vetëm pak ditë më parë, ai kishte gjetur rrugën e rrjetës edhe në ndeshjen ndaj Besiktas, duke konfirmuar formën e tij të qëndrueshme në momentet vendimtare.
Në total, Muçi ka arritur në kuotën e 15 golave dhe 9 asistimeve në 40 paraqitje këtë edicion, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Trabzonsporit në garat vendore dhe ato të kupës.
Fitorja ndaj Gençlerbirligit erdhi pas një ndeshjeje të vështirë, ku Trabzonspor hasi rezistencë të fortë, por përvoja dhe efikasiteti në momentet kyçe bënë diferencën për skuadrën që synon trofeun e Kupës së Turqisë këtë sezon. /Telegrafi/




















































