LAJMI I FUNDIT:

ERË IDIOTIKE

ERË IDIOTIKE

Nga: Bob Dylan
Përktheu: Fadil Bajraj

Dikush më ka halë në sy, dhe po sajojnë historira të paqena kundër meje në shtyp
Kushdo që është dëshiroj që ta ndërpres këtë vaki, ama kur do ta bëjnë këtë nuk mund ta di
Thonë se e kam vrarë një njeri të quajtur Gray dhe ia mora gruan me vete në Itali
Ajo trashëgoi një milion dollarë dhe kur ajo vdiq, paratë më takuan mua
S’kam ç’të bëj, nëse jam me fat

Njerëzit më shohin gjithë kohën dhe thjesht nuk u kujtohet se si duhet të sillen
Mendjet i kanë plot me ide të mëdha, imazhe dhe fakte të shtrembëruara
Bile edhe ti, dje u desh të më pyesësh se ku kishte ndodhur
Nuk mund të besoja se pas gjithë këtyre viteve, ti nuk më paske njohur aspak
Zonjë e ëmbël

Erë idiotike, që shkulmon sa herë që ti çel gojën
Që fryn rrugëve anësore në drejtim të jugut
Erë idiotike, që shkulmon sa herë që ti cakëllon dhëmbët
Ti je idiote, vashë
Është çudë që ti ende di si të marrësh frymë

Rastisa një fallxheshë, e cili tha ruhu nga rrufeja që mund të të godas
Nuk kam njohur paqe dhe qetësi për një kohë të gjatë, sa që nuk i mbaj mend më
Ja një ushtar vetmitar në kryq, tymi rrjedh nga dera e vagonit
Ti nuk e ke ditur, ti nuk mendoje se kjo mund të bëhej, në fund të fundit ai i fitoi luftërat
Pasi që kishte humbur çdo beteje

U zgjova buzë rruge, duke fantazuar në lidhje me atë se si janë gjërat ngandonjëherë
Vizionet e pelës sate ngjyrë gështenje ma përshkojnë mendjen dhe më detyrojnë t’i shoh yjet
Ti i lëndon ata që unë i dua më së shumti dhe e mbulon të vërtetën me gënjeshtra
Një ditë do të mbarosh në hendek, mizat do të fluturojnë rreth syve
Gjak në shalën tënde

Erë idiotike që shkulmon mes luleve në varrin tënd
Që shkulmon mes perdeve në dhomën tënde
Erë idiotike që shkulmon sa herë që ti cakëllon dhëmbët
Ti je idiote, vashë
Është çudë që ti ende di se si të marrësh frymë

Ishte graviteti që na tërhoqi në humnerë, ndërsa fati na ndau
Ti e zbute luanin në kafazin tim, ama kjo thjesht nuk qe e mjaftueshme për t’ma ndryshuar zemrën
Tash gjithçka është pak si mbrapshtë, bile edhe rrotat janë ndalur
Ajo që është e mirë është e keqe, ajo që është e keqe është e mirë, këtë do ta kuptosh kur të mbërrish në majë
Tash je në fund

E vërejta në ceremoni, sjelljet tua të degjeneruara përfundimisht të kishin bërë të verbër
Fytyrën tënde nuk e kujtoj më, goja jote ka ndryshuar, sytë e tu nuk shikojnë më në sytë e mi
Prifti ishte veshur me të zeza në ditën e shtatë dhe rrinte ulur çehrengrirë derisa ndërtesa digjej
Të kam pritur në shkallare, ndanë selvive, derisa pranvera ngadalë u shndërrua në vjeshtë

Erë idiotike që fryn në qark rreth kafkës sime
Nga Great Coulee Dam deri në Kapitol
Erë idiotike që shkulmon çdo herë që ti cakëllon dhëmbët
Ti je idiote, vashë
Është çudë që ti ende di se si të marrësh frymë

Nuk mund të të ndiej më, bile as librat qëi ke lexuar nuk i prek me dorë
Sa herë që zvarritem pranë derës tënde, dëshiroj të isha dikush tjetër
Teposhtë autostradës, teposhtë hekurudhës, teposhtë rrugës për në ekstazë
Të kam ndjekur nën yje, i përndjekur nga kujtimi për ty
Dhe tërë lavdia jote e tërbuar

Më kanë tradhtuar për herë të fundit dhe tash më në fund jam i lirë
I dhashë puthje lamtumire bishës ulëritëse në vijën kufitare që të ndau ty nga unë
Ti kurrë nuk do ta dish ç’vuajtje kam përjetuar e as dhimbjen mbi të cilën jam ngritur
Dhe as unë kurrë s’do ta di të njëjtën gjë për ty, shenjtërinë tënde apo llojin tënd të dashurisë
Dhe kjo më bën të ndihem shumë keq

Erë idiotike, që shkulmon tejpërtej pullave të palltove tona
Që fryn mespërmes letrave që i kemi shkruar
Erë idiotike, që fryn nëpër pluhur në raftet tona
Ne jemi idotë, loçkë
Është çudë bile që ende mund të ushqejmë veten