LAJMI I FUNDIT:

Epoka skënderbejane dhe kombi shqiptar

Epoka skënderbejane dhe kombi shqiptar

Bashkim Qeli

Studimet dhe hulumtimet shkencore për Epokën e Skënderbeut, në arkiva e biblioteka shtetërore e private, muze e koleksione të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit japin rezultate të reja në fusha të ndryshme të historiografisë. Jo vetëm në fushën ushtarake për mbrojtjen e lirisë e pavarësisë së vendit, për mbrojtjen e krishterimit dhe qytetërimit evropian nga vërshimi Osman, por edhe në fusha të tjera si artë, letërsi, në muzikë dhe pikturë.


Skënderbeu, me ushtrinë e popullin shqiptar, me personalitetin e tij ka vulosur jo vetëm kulturën dhe historiografinë e kohës së tij, por edhe atë të periudhave pasardhëse, gjë që vërehet në larminë dhe pasurinë e pa zbuluara akoma të dokumenteve, dorëshkrimeve dhe veprave të shkruara për figurën e tij anembanë Evropës dhe më gjerë.

Jeta dhe vepra e Skënderbeut është përdorur kryesisht si shembull frymëzimi për shumë popuj të tjerë, të cilët të ndodhur në robëri, qoftë nën sundimin turk apo edhe nën sundime të tjera, luftuan gjatë shekujve për liri dhe çlirim kombëtar. Duke pasur gjithmonë një mision të tillë, figura e tij është bërë simboli i Lirisë për popujt e shtypur . Si rezultat, miti i krijuar për Skënderbeun në disa raste të duket sikur figura e tij ekziston diku midis ëndrrës për liri, imagjinatës së popujve dhe realitetit.

Nga një këndvështrim i tillë, në dokumentet më të hershme të zbuluar që janë më afër realitetit kohor, kanë një vlerë tepër të rëndësishme dhe të veçantë për historiografinë tonë sepse ato na sjellin më afër të vërtetën, duke na larguar nga shtrembërimet dhe idealizmat e tepruara që në raste të caktuara shkojnë në ekstreme të tejskajshme. Në disa raste përpjekjet e historianëve për çmitizimin e figurës së Skënderbeut kanë bërë që ajo të kalojë nga një skaj në tjetrin duke mos i qëndruar kohës dhe të vërtetës shkencore-historike. Në këtë rast vlen të përmendet thënia lapidare e F.S.Nolit: “Çdo heroi në histori i është dashur të kalojë përmes tri fazave: të glorifikimit, të asgjësimit dhe të rivlerësimit.”

Kjo ka ndodhur edhe me heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun.

Periudha e luftërave popullit shqiptar për mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë gjatë shek. 15-të e cila me të drejtë është quajtur “Epoka e Gjergj Kastriot Skënderbeut” që përfaqëson në vetvete një etapë shumë të rëndësishme në historinë e kombit tonë. Nuk ka dyshim se një periudhë e tillë si ajo e shekullit XV-të, me ndeshje vigane që e karakterizojnë, kërkonte figura të mëdha që t’u bënte ballë atyre situatave të jashtëzakonshme, ndeshjeve midis popujve nga njëra anë që kërkonin të mbronin e të ruanin lirinë e pavarësinë e vendit dhe agresorëve që kërkonin të robëronin e të gllabëronin lirin e popujve nga ana tjetër.

Duke e përkujtuar sot, në 615-vjetorin e lindjes, 575-vjetorin e kthimit në atdhe dhe 550-vjetorin e vdekjes të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotin Skënderbeu, ne përkujtojmë jo vetëm një kryetar shteti, komandant, strateg e luftëtar të madh, por një epokë të tërë që mbanë emrin e tij, një nga epokat më vendimtare të historisë së kombit tonë, në të cilën populli ynë luftoi për 25 vjet më radhë kundër superfuqisë së kohës, për të mbrojtur tokën, lirin dhe pavarësinë e vet.

Në këto kushte popuj sado të vegjël duhej të zhvillonin aftësi dhe forca të veçanta, të derdhnin të gjitha energjitë e tyre intelektuale, materiale dhe morale për të mbrojtur ç’ka kishin më të shtrenjtë, lirinë e pavarësinë e identitetin e tyre kulturor në shekullin XV. Madhështinë e figurës së Skënderbeut nuk munguan ta admironin dhe ta vlerësonin lartë bashkëkohësit dhe një varg personalitetesh të shquar të Evropës e të botës që kanë arritur deri më ditët tona. Për këtë dëshmon më së miri vargu i jashtëzakonshëm i veprave të hartuara nga historiografë, teoricienë ushtarakë, shkrimtarë dhe artistë.

Një literaturë e tërë e përkthyer në shumë gjuhë të botës, nuk i mohoi heroit shqiptar cilësimet më përkëdhelëse dhe admirimin e shumë adhuruesve në mbarë botën. Ky vlerësim duket qartë në Rimurat e Hanns Bajnnerson të shkruara në shek. 19-të në Islandë ku shkruan: “Dhuntia ime poetike është e varfër dhe pa fuqi kur vjen rasa t’i këndoj një burri të tillë, që në fushën e mejdanit e mbajnë më të mirin ndër të gjithë kombet.”

Një vlerësim i drejt i kësaj figure kërkon që të studiohet në një varg planesh jo vetëm në fushën ushtarake, jo vetëm në sferën shqiptare, por edhe atë evropiane. Një figurë e tillë kërkon që të vlerësohet në aspektin politik shtetëror shqiptar e ndërkombëtar të lidhura me tendencat objektive të zhvillimit të kohës në planin e përgjithshëm, në lidhje me aspiratat jo vetëm të klasave sunduese e të interesave të tyre politike, por në radhë të parë me aspiratat veprues në gjirin e masave popullore të vendit.
Vetëm duke u nisur nga drejtimi në të cilën shkonin këto tendenca, mund të dalë në pah veprimtaria e Heroit, e kësaj figure, cila si çdo figurë e madhe historike, do të luante një rol të madh për kombin tonë dhe epokën e tij. Edhe sot, pavarësisht nga koha që kalon me shpejtësi, figura e Heroit tonë Kombëtar, vazhdon të jetë ende e gjallë mes shqiptarëve dhe kontributet studimore e shkencore për ndriçimin e figurës së tij, po njohin një rritje të interesit vitet e fundit. Kjo siç duket është e lidhur me momentet historike që po kalon çështja shqiptare. Mendoj se figura e Skënderbeut do të gjejë portretizimin real vetëm pasi të jenë hapur dyert e të gjitha kancelarive për nxjerrjen e dokumenteve historike të asaj periudhe, të shek. XV.

I parë në këtë prizëm, në të cilin rolin kryesor e luajnë jo faktorë personalë, por objektiv tendenca e zhvillimit ekonomiko-shoqërore e politike, luftërat që bënin shqiptarët nën udhëheqjen e Skënderbeut, kundër pushtimeve të turqve osmanlinj, nuk qenë një fenomen rastësie ose shprehje e dhuntie personale të njërit apo të tjetër udhëheqësi feudal të tipit të zakonshëm.

Shekulli i XV-të, epoka e Heroit tonë, nuk qe thjesht një periudhë ngjarjesh ushtarake sado të mëdha; ajo ishte një periudhë fillimi i një kthese epokale, kalimi nga copëzimi feudal e anarkia që e shoqëroi këtë sistem, drejt përpjekjeve për krijimin e pushteti politik që t’u përgjigjej më mirë nevojave të reja ekonomike dhe shoqërore të vendit. Krijimi i shteteve feudale me popullsi unitare nga pikëpamja gjuhësore e kulturore.

Vërshimi osman nuk ishte një faktor lokal që prekte njërin ose tjetrin sundues feudal në disa treva shqiptare ose ballkanike. Zhvillimi i qyteteve kishte çuar, që në shekullin e XIV-të fuqizimin e pushtetit ekonomik e politik të klasës sunduese feudale vendase, kishte rritur rolin e tyre politik si në planin lokal e rajonal.

Pasqyrimi i kësaj situate të re ishte fuqizimi i shteteve të pavarura shqiptare në veri dhe në jug të vendit. Ato ishin tashmë në gjendje të hidhnin poshtë sundimin e shteteve shumëkombëshe të huaja dhe të fitonin pavarësinë e tyre kundrejt bizantinëve, serbëve, anzhuinëve dhe të ndërmerrnin luftë për mbrojtjen e këtyre zotërimeve. Në këtë mënyrë ata realizonin, edhe pse në mënyrë të kufizuar, bashkimin politik të një vargu krahinash veriore dhe jugore shqiptare. Përpjekja e parë u bë nga Balshajt në fund të shekullit XIV-të .

Këto tendenca nuk i ndërprenë ndonëse i ngadalësuan, si presion i venedikasve dhe sulmet e para të osmanëve, këtë e tregojnë përpjekjet e para për të formuar një front të vetëm të sundimtarëve shqiptarë së pari kundër venedikasve dhe më vonë kundër osmanëve, kur filloi të bëhej realitet pushtimi i tyre. Përfaqësuesit më konsekuent të kësaj vije midis sundimtarëve u bënë Kastriotët, midis tyre flamurin e morri Skënderbeu.

Nën drejtimin e tij, Kuvendi i Lezhës u bë bërthama e parë efektive për njësimin politik e ushtarak të forcave të popullit shqiptar kundër pushtimit osman. Kjo nuk ishte një dukuri e rastit . Më shpejt e më qartë se të gjithë bashkëkohësit, Skënderbeu e kuptoi dhe realizoi si një fakt të madh – pushtimin e huaj, kërcënimin e ardhur nga jashtë ai e shndërroi në një faktor përshpejtues për njësimin e bashkimin e principatave e resurseve të tyre në funksion të mbrojtjes së lirisë e pavarësisë së fituar. Një fenomen i ngjashëm u zhvillua në kushtet të përafërta edhe në vendet fqinjë si në Serbi, Bosnje e More, ndonëse në këto vende, nuk mundi të sillte ato rrjedhime efektive që u shfaqën në Shqipëri nën udhëheqjen e Skënderbeut.

Ishin rrethanat e mësipërme të cilat bënë që shqiptarët të humbin të fundit pavarësinë e vet, ndonëse shtetet e tjera ishin më të mëdha e më të pasura në mundësi e mjete. E vetmja rrugë zgjidhje si ajo, që gjeti e zbatoi Skënderbeu, e vuri atë në kushte të favorshme që t’i bënte ballë rrezikut të vërshimit Osman i cili kishte marrë përmasa evropiane. Lufta e pabarabartë që bënte populli shqiptar, nuk ishte vetëm një luftë për mbrojtjen nga pushtuesi turk të krahinave të veçanta por edhe për ruajtjen e bashkimit të forcave politike, ekonomike dhe ushtarake të kombit tonë. Ishte kjo luftë që farkëtoi atë ndjenjë të bashkimit politik, etnik e kulturor, që u ruajt edhe pas pushtimit të vendit si fitore e rëndësishme e saj.

Lufta heroike, afro një shekull, e shqiptarëve kundër vërshimit osman hyri në kuadrin e përgjithshëm të historisë evropiane në dy drejtime ,së pari ajo u mbylli këtyre vërshimeve rrugët drejt viseve të brendshme malore të Ballkanit Perëndimor dhe së dyti, rrugët drejt brigjeve Perëndimore të gadishullit që ishte një nga pikësynimet kryesore të strategjisë osmane për të shtrirë invazionin në gadishullin Apenin.

Shqipëria me ushtrinë e saj u bë një mur i pakapërcyeshëm duke gozhduar forca kolosale osmane në këtë trevë me rëndësi strategjike dhe duke i konsumuar në mënyrë graduale. Në Shqipëri iu mbyll rruga më e shkurtër Sulltanëve të Turqisë drejt perëndimit dhe për në veri, drejt Malit të Zi, Bosnjës dhe Dalmacisë.

Në këtë kuptim lufta e popullit shqiptar kalonte në një nivel të ri, më të lartë se luftërat zakonshme feudale të zhvilluar shekuj më parë . Për më tepër kjo luftë merrte një kuptim të veçantë si ngjarje që ndikonte në plan ndërkombëtarë. Bëhet fjalë për një ndërlidhje dhe kushtëzim reciprok i faktorëve të brendshëm me faktorët e jashtëm që e karakterizonte këtë periudhë, kur faktori shqiptar ndërhyn si faktor aktiv me rëndësi vendimtare. Vërshimi Osman në Ballkan dhe në Shqipëri, ishte një ngjarje historike me rëndësi ndërkombëtare, këtë e kuptuan më mirë mendjet më të mprehta e të qarta të kohës , midis bashkëkohësve. Ishte e qartë për ata se sulltanët osman luftonin në Shqipëri, jo vetëm për të nënshtruar popullin shqiptar, por edhe për të mposhtur qëndresën e tyre heroike të këtyre “rebelëve” siç i cilësonin kronistët turq, por për të siguruar në Shqipëri atë kryeurë qo do t’u lejonte turqve kalimin drejt perëndimit pa probleme e shqetësime.

Më 1478 pasi pushoi së rezistuar edhe kalaja, e fundit shqiptare ajo, e Shkodrës. Sulltanët menduan të vënë në jetë planin e tyre të vjetër, sulmin drejt perëndimit, për të pushtuar Italinë Jugore, por për shkak të qëndresës shqiptare, me një vonesë prej 50 vjetësh, tashmë në kushte të reja politike dhe të pafavorshme për ushtrinë turke, të konsumuar përball qëndresës së pathyeshme shqiptare.

Me mprehtësinë e gjykimit të burrit të shtetit dhe të strategut të madh, Skënderbeu diti të gjejë e të krijojë për këtë qëllim forma e metoda të reja organizatave që u përgjigjeshin më mirë detyrave të mëdha që shtronte koha, momenti historik dhe e ardhmja. Edhe pse niseshin nga kushte të veçanta të Shqipërisë të shekullit XV-të, këto koncepte dhe veprimtaria e Heroit shqiptar që lidhej me to, marrin rëndësinë e tyre edhe për shekujt pasardhës dhe për vendet e tjera. Kjo shpjegon, përse figura e Skënderbeut, ushtroi një jehon kaq të gjerë e të thellë mbarëbotërore.

Në trend Kultura

Më shumë
Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Kulture
VDES NGADALË

VDES NGADALË

Poezi
Kanti dhe çështja për paqen

Kanti dhe çështja për paqen

Analiza
Piruni

Piruni

Daut Dauti
Rilindja evropiane dhe ndikimi në histori

Rilindja evropiane dhe ndikimi në histori

Kulture
“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

Kulture
Kalo në kategori