LAJMI I FUNDIT:

‘Engjëlli i vdekjes’, infermieri gjerman nën akuzë për vrasjen e 99 pacientëve (Foto)

‘Engjëlli i vdekjes’, infermieri gjerman nën akuzë për vrasjen e 99 pacientëve (Foto)

Niels Hoegel është infermieri gjerman, i cili vuan dënimin e përjetshëm për vrasjen e dy personave, tani është nën akuzë për vrasjen e 97 pacientëve tjerë.

Sipas akuzave të reja, i ashtuquajturi ‘engjëll i vdekjes’ dyshohet se është vrasësi i 99 pacientëve, në dy spitale që ndodhen në veriperëndim të Gjermanisë, transmeton Telegrafi.


Ekzekutimet dyshohet se i ka kryer prej vitit 1999 deri më 2002, derisa shërbente në një klinikë në Oldenburg, ndërsa të tjerat prej 2003 deri më 2005, teksa shërbente në Delmenhorst.

Hoegel ishte gjetur fajtor gjatë vitit 2015, për dy vrasje dhe dy tentime, andaj iu dha dënimi maksimal, që është qëndrimi i përjetshëm prapa grilave.

Gjatë gjykimit, Hoegel kishte thënë se kishte qenë vet ai që iu shkaktoi rreth 90 pacientëve sulme në zemër, sepse i pëlqente ndjenja që t’ju ndihmonte duke i kthyer në jetë. Më vonë, iu tregoi hetuesve se vet i ka vrarë me paramendim disa prej pacientëve.

Hoegel në gjykatë, me fytyrë të mbuluar

Deklaratat kanë bërë që të nisin hetime dhe të ekzaminohen disa prej trupave të viktimave, që kanë vdekur në spital gjatë atyre periudhave kohore.

Hulumtimet toksikologjike që janë bërë në 60 trupa, kanë dalë se ishin të helmuara me substanca të ndryshme, kryesisht përzierje barnash që shkaktojnë vdekjen.

Si pjesë e një hetimi më të gjerë, janë kontrolluar dosjet e 500 pacientëve, për të verifikuar nëse ky krim ka mundur të parandalohej.

Policia ka thënë se stafi në të dy spitalet është dashur ta paraqesin rastin, pasi nuk është e zakontë të vdesin kaq shumë pacientë me të njëjtat simptome.

Tashmë janë intervistuar kolegët që punuan me të, ndërsa pritet të ketë hetime të hollësishme. /Telegrafi/