LAJMI I FUNDIT:

Ekspertët e sigurisë thonë se Vuçiq do ta mbajë situatën në veri të tensionuar: Qeveria të përshpejtojë proceset e de-përshkallëzimit

Ekspertët e sigurisë thonë se Vuçiq do ta mbajë situatën në veri të tensionuar: Qeveria të përshpejtojë proceset e de-përshkallëzimit

Është bërë një muaj, që në katër komunat veriore të vendit situata vazhdon të jetë e tensionuar, ku grupe të ndryshme vazhdojnë të kryejnë veprime të dhunshme dhe kriminale, qoftë përmes protestave para objekteve të komunave veriore, por edhe me hedhjen e mjeteve shpërthyese.

Rasti i fundit i sulmit me mjete shpërthyese ishte në orët e vona të së mërkurës ndaj një pike statike e Policisë së Kosovës, e cila mori flakë. Ndërkaq, të hënën nga person/a të dyshuar është sulmuar me mjet shpërthyes (granatë dore) objekti i Komunës në Veri të Mitrovicës. Shpërthime kanë ndodhur edhe gjatë javëve të kaluara në Mitrovicën Veriore, në Zveçan dhe Leposaviq.


Lidhur me tensionet e vazhdueshme në veri të vendit për Telegrafin kanë folur ekspertët e sigurisë, Nuredin Ibishi dhe Avni Islami.

​Dy shpërthime në veri, nuk ka të lënduar
Lexo po ashtu ​Dy shpërthime në veri, nuk ka të lënduar

Ibishi tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq vazhdon të krijojë tensione në veri të Kosovës me avazin e vjetër, përmes grupeve kriminale serbe.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi

Ai tha se Vuçiq do që ta mbajë situatën në veri të tensionuar deri në zgjedhje të reja.

“Vuçiq vazhdon me avazin e vjetër. Bën një hap kinse t’iu përshtatet ndërkombëtarëve, ndërsa nga ana tjetër e mban në tension situatën. Mendoj, që ai do ta mbajë të tensionuar situatën në veri derisa ne t’i përshpejtojmë proceset për zgjedhje. Nëse ne vazhdojmë të ngecim në procese, atëherë presidenti Vuçiq do ta mbajë tensionimin e situatës në veri dhe do të kërkojë favore”, ka thënë njohësi i sigurisë në vend.

Tutje Ibishi theksoi se nëse situata mbetet e tillë atëherë ka mundësi që edhe të përshkallëzohet.

Sërish gjuajtje me shok-bombë në Zveçan, nuk raportohet për të lënduar
Lexo po ashtu Sërish gjuajtje me shok-bombë në Zveçan, nuk raportohet për të lënduar

“Lidershipi i Kosovës mendoj që duhet të jetë për atë se për çfarë janë zotuar. Mos të humbin shumë kohë në gjithë ato procedura, duke dhënë alternativa. Mirëpo, alternativat më të shpejta janë peticioni, apo dorëheqja e kryetarëve. Ata kanë legalitet, por nuk kanë legjitimitet. Mendoj që s’duhet ta mbajmë më tej barrën e fajësisë, por kjo është më së miri, sidomos pas rasteve të shpërthimeve të fundit që në një formë shpesh ndërkombëtarët po na i atribuojnë këtë mos angazhim tonin”, tha Ibishi.

Sipas tij, Qeveria e vendit duhet të jetë më proaktive dhe të reagojë për zgjedhje të situatës në veri, e jo të pres, siç tha Ibishi, që ekstremistët serbë të vazhdojnë me veprime deskruktive, duke e mbajtur situatën të tensionuar.

Dy sulme me shok-bomba në Mitrovicë të veriut
Lexo po ashtu Dy sulme me shok-bomba në Mitrovicë të veriut

“Ata do të kërkojnë diçka që është e papranueshme, lirimin e të arrestuarve, të cilët po akuzohen për vepra penale dhe sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë dhe gazetarëve, por edhe dëmet materiale që janë shkaktuar”, tha Ibishi për Telegrafin.

Ndërsa, Avni Islami tha se përdorimi i mjeteve të rrezikshme në veri të vendit po bëhet me qëllim që të frikësojnë institucionet e Kosovës dhe për t’ia pamundësuar shtrirjen e sundimit të ligjit atje.

Islami gjithashtu theksoi se në veri të vendit është duke u përdor “terrorizëm nacionalist”.

Avni Islami, ekspert i sigurisë

“Dje e pamë që Qeveria e Kosovës shpalli dy organizata terroriste, ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’. Me vetë faktin që para pak ditësh një automjet u zu me të gjitha mjetet luftarake, të cilat u përdorën nga terroristët me emblema të tyre, i plotësuan kushtet për tu shpallur terroriste…Në vazhdimësi kanë përdorur shok bomba, zjarrvënie, duke i drejtuar të gjitha këto ndaj KFOR-it, EULEX-it, Policisë së Kosovës, si edhe dhunën e shfrenuar ndaj gazetarëve, përdorimi i këtyre mjeteve po bëhet me qëllim që të ketë frikësim ndaj institucioneve të Qeverisë së Kosovës për ta ndaluar shtrirjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Kosovës. Mund të them që është duke u përdorur terrorizëm nacionalist”, ka thënë Islami.

Ai po ashtu tha se bazuar në të gjitha rrethanat që po ndodhin në vend situata në veri nuk është duke u de-përshkallëzuar.

“Të gjitha këto kur bëjmë një përmbledhje mund të them që situata në veri nuk është duke u de-përshkallëzuar”, ka thënë eksperti i sigurisë.

Islami po ashtu tha se të gjithë personat që hodhën shok bomba e kryen vepra penale në veri të Kosovës nuk janë zbuluar e arrestuar deri më sot.

“Një element që duhet të jetë më i rëndësishëm dhe që duhet të ceket është që zjarrvënja dhe hedhja e shok bombave, granatave dhe përdorimi i armëve të gjata. Nuk po vërejmë ose nuk kemi parë deri më sot përveç dy-tri arrestimeve, të cilat janë zënë me fotografi gjatë dhunës që është përdorur ndaj KFOR-it dhe Policisë. Personat që i përdorën këto mjete, asnjëri nga ta nuk është zbuluar. Me vet faktin që nuk po zbulohen kjo do të thotë që kemi të bëjmë me njerëz profesionistë, dhe kjo tregon se janë duke u organizuar nga BIA serbe dhe institucionet e sigurisë së Rusisë”, ka thënë Islami.

Ndryshe, situata në veri të Kosovës është tensionuar qysh më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, kanë hyrë në ndërtesat komunale.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarë e KFOR-it në Zveçan. Nga përleshjet mbetën të plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët. /Telegrafi/