Eksluzive, Halimi flet pas nënshkrimit me Mainzin: Realizova ëndrrën, do të luaj në Bundesligë

Betim Zeqiri
Mesfushori ofensivë i Përfaqësueses së Kosovës ka lënë skuadrën e mëparshme Stuttgart Kickers ku kishte mjaftë suksese, pasi në 37 ndeshje bëri 14 asistime dhe shënoi dy gola, duke bërë të ‘çmenden’ skuadrat gjermane pas tij dhe ka nënshkruar kontratë katër vjeçare me skuadrën nga Bundesliga gjermane Mainz 05.
Edhe pse kishte oferta të shumta, 20-vjeçari tregoi pse zgjodhi Mainzin para skuadrave si Werder Bremen, Brentford, Porto, Benfica, Eintracht Braunschweig dhe Heidenheim.
“Kishte oferta të shumta, por në fund vendosa për Mainzin. Skuadra angleze Brentford dhe Mainzi kanë qenë më të interesuarat dhe që e kanë bërë ofertën më të mirë. Vendosa për Mainzin pasi ka qenë trajneri Martin Schmidt që më kërkon me çdo kusht”, rrëfehet fillimisht për Telegrafin, Besar Halimi.
Ai tregon edhe një arsyeje pse trajneri i Mainzit, Martin Schmidt e kërkonte me ngulm.
“Schmidt ka qenë trajneri i ekipit të dytë të Mainzit ku kam luajtur përballë tyre dy ndeshje në Bundesliga 3. Aty jam paraqitur mirë ku në të dyja ndeshjet kam asistuar dhe ai më ka lavdëruar pas ndeshjeve. Ai më njeh mua më mirë se çdo kush dhe besimi i tij më jep vullnet për të vazhduar tutje”, vazhdon Halimi.
Iu realizua ëndrra, do të luaj në Bundesligë
Bundesliga është njëra nga ligat më të forta në botë, dhe Besari kishte ëndërr që një ditë të luante aty.
“Mu realizua ëndrra fëmijërore që të luaj një ditë në Bundesligë. Kisha mundësi të shkoja edhe në tjera liga por në fund e kam vendosur me familjen për të nënshkruar me Mainzin”.
“Mainz është vetëm 50 km larg Frankfurtit ku jeton familja ime dhe kjo është një gjë shumë e mirë për mua, pasi familja më jep përkrahjen më të madhe në karrierë”, thotë Halimi për Telegrafin.
A do ta arrish shifrën prej 14 asistimeve edhe në Bundesligë? “(Qeshet). Shpresojë, do të ishte diçka e jashtëzakonshme por jo edhe e pa arritshme. E kuptoj që Bundesliga është nivel më i lartë, pasi do të ketë konkurrencë dhe skuadra rivale shumë të forta, por un synoj të jap më të mirën nga vetja ime”.
“Çdo gol i shënuar apo çdo asistim do të jetë mirë për mua. Shpresoj që të arrij sa më shumë të shënoj dhe asistoj”, tha Halimi.
Fantastike të luash për Kosovën
Padyshim që viti 2015 mund të quhet vit me fat për të, pasi para se të transferohej në Mainz, Halimi debutoi edhe me Përfaqësuesen e Kosovës.
“Kanë qenë emocione fantastike kur kam zbritur në fushë me fanellën e vendit tim. Ishte mrekulli të luash për vendlindjen tënde, për Kosovën që shumë njeri ka dhënë jetën që të jetë në këtë ditë”, thotë Halimi.
“I falënderohem trajnerit Albert Bunjaku që ka treguar interesim të jashtëzakonshëm për mua, dhe erdhi më vizitoi në Frankfurt dhe me kënaqësi pranova ofertën që të luaj me Kosovën”.
“Sa herë që më lajmërojnë që kemi ndeshje gëzohem shumë. Tani do të luajmë në shtator dhe mezi pres të vijë ajo ditë”.
“Synimi im është që të luaj në Kampionatin Botëror ‘Rusi 2018’, me vendlindjen time Kosovën”, përfundoi Halimi për Telegrafin.
Shuma që pagoi Mainz për ta bërë të vetin Halimin nuk është bërë e ditur, por besohet se është rreth 800 mijë euro. /Telegrafi/





















































