Sigal Prishtina e fitoi sonte edhe ndeshjen e dytë finale ndaj Rilskit, duke u kurorëzuar me titullin e kampionit të Ligës Ballkanike, e kjo gjë Dardanin e ka bërë njeriun më të lumtur në botë.

I pyetur nga Telegrafi se si po ndjehet pasi që sonte i kanë sjellë Kosovës trofeun e parë ndërkombëtar në sportet kolektive, Berisha tha: “Ndihem tepër i lumtur, më i lumturi në botë në këto momente”.


Ndërsa, sa i përket fitores së sotme kundër Rilskit, Dardani tha se ishte rezultat i një pune të madhe prej fillimit të edicionit.

“Fitorja nuk ka qenë e lehtë, por në fund kemi arritur ta shkruajmë histori për tërë kombin shqiptar”, theksoi fillimisht Berisha për Telegrafin.

“Vetëm se, loja e sotme nuk na ka sjellë këtë trofe, por e kanë sjellë të gjitha ndeshjet e luajtura deri më tani. Kemi luajtur shumë më mirë në mbrojtje dhe kjo besoj se ishte çelësi i suksesit në ndeshjen e sotme”, shtoi ai.

Pasi u zgjedh ‘MVP’ i Ligës Ballkanike, burime të Telegrafit mësojnë se Dardani ka pranuar oferta nga disa klube evropiane dhe në muajt e ardhshëm do t’i shqyrtojë ato. Qëndrimi në Kosovë nuk është edhe aq i sigurt për edicionin e ardhshëm. /Telegrafi/ 

bbeeriishaa

telegrafi sport app