LAJMI I FUNDIT:

Ekonomistët thonë se buxheti i Kosovës është i mjaftueshëm për ushtrinë (Video)

Ekonomistët thonë se buxheti i Kosovës është i mjaftueshëm për ushtrinë (Video)

Buxheti aktual i ndarë nga qeveria e Kosovës për ushtrinë e ardhshme të Kosovës  është i mjaftueshëm për misionin e ri të FSK-së.  Kështu vlerësojnë njohësit e sigurisë. Buxheti do të rritet çdo vit për pesë milionë euro.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, javë më parë është shprehur skeptik se buxheti i Kosovës mund ta përballoj, financimin e ushtrisë, themelimi i së cilës bëhet nga Kuvendi i Kosovës të premtën.


“FSK-ja duhet të forcohet. Politikisht unë kam mendim krejt tjetër sa i përket dëshirës për të pasur ushtri të fuqishme. Ushtria është e kushtueshme shumë. Ne gjysmës së Kosovës po u japim pensione. Buxheti i Kosovës dihet sa është”, kishte deklaruar Xhavit Haliti.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, pati deklaruar se buxheti i shtetit i është përgjigjur çdo herë nevojave të FSK-së.

“Ne si Ministri e Financave do të sigurojmë fonde të mjaftueshme që ky transferim i FSK-së të ndodh pa ndonjë problem. Ne edhe gjatë dëgjimeve buxhetore u kemi financuar 100% kërkesat e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës”, kishte deklaruar Bedri Hamza.

Ekonomisti, Naim Gashi, thotë se financimi i Ushtrisë nuk është që e rëndon buxhetin e Kosovës.

“Buxheti i Kosovës është i mjaftueshëm për të përballuar koston financiare për ushtri. Ne si shtet kemi pasur kapacitete financiare për të ndërtuar autostrada që kushtojnë edhe 1 miliardë euro, pse nuk kemi buxhet për të ndërtuar një ushtri që kushton shumë më lirë. Kosova ka mundësi buxhetore që t’i shtojë edhe më tepër shpenzimet për ushtria pasi jemi shtet në konsolidim e sipër dhe resurset tona buxhetore duhet të orientohen për sigurisë tonë”, deklaroi Naim Gashi.

Projekt-ligjet për shndërrimin e FSK-së në Ushtri, parashohin që buxheti i ushtrisë të rritet çdo vit. Në vitin 2019 buxheti për FSK-në do të jetë rreth 55 milionë euro./Telegrafi/