EHF-ja veçon debutimin e Kosovës

Kualifikimet zhvillohen nëpër turne, në të cilat paraqiten përfaqësueset e një grupi. Turneun e grupit të gjashtë e organizon Federata e Hendbollit e Kosovës, në Prishtinë. Në grupin e gjashtë bëjnë pjesë pos Kosovës edhe Suedia, Sllovakia e Austria. Kosova të premten (sot) përballet me Austrinë (19:00), të shtunën me Sllovakinë, ndërsa të dielën me Suedinë. Suedia vlerësohet favorite absolute dhe nuk pritet të ketë problem për t'u kualifikuar. Kualifikohen dy të parët e grupit, ndërsa Suedia në vitin 2013 ishte kampione.
Evropiani për hendbollistet 17-vjeçare mbahet në Shkup në muajin gusht. Këtë fundjavë zhvillohen turnetë kualifikuese për tetë grupe, ndërsa një turne është zhvilluar tashmë, nga i cili janë kualifikuar Rusia e Çekia. "Për të veçuar është debutimi i Kosovës që regjistron paraqitjet e para në këtë nivel pas pranimit me të drejta të plota në EHF në shtator të vitit të kaluar", ka shkruar sajti zyrtar i Federatës Evropiane të Hendbollit.
FHK-ja ka synim të bindë me organizim, ndërsa për kualifikim të Kosovës nuk jepen shumë gjasa. FHK-ja në janar, në Gjakovë, organizoi turne kualifikues për përfaqësueset U-21 të hendbollistëve. Kosova përfundoi e fundit në grup pas Bjellorusisë, Zvicrës e Malit të Zi, por organizimi i turneut u vlerësua lart.



















































