LAJMI I FUNDIT:

Edi Rama, me papuçe “Gucci”, në dhjetëvjetorin e pavarësisë

Edi Rama, me papuçe “Gucci”, në dhjetëvjetorin e pavarësisë

Po e prodhoj edhe unë një “fake news”! Nuk bëhet më nami! Gjithsesi, do të ishte lajm ndërkombëtar, e sidomos mbarëkombëtar, sikur Edi të vinte me papuçe “Gucci” në Prishtinë, në festen e dhjetëvjetorit të pavarësisë, ende të mbikëqyrur të Kosovës! Në Evropë pat shkuar me atlete e me kollare, të kuqe, euro-socialiste, e një herë besa edhe me fanelle, apo me maicë si i themi në Kosovë. Ja, sido që ta hapësh llafin, vijmë te çështja e dallimeve brendakombëtare. Kur harxhohen të gjitha, kombi nuk harxhohet se kombi nuk është sapun, prandaj mund të lash e shpërlash me të gjithçka, përfshirë edhe lekët.

Kur jemi te Edi, kjo dihet. Edi do me ra në sy gjithqysh, dhe me çdo kusht. Ndërkaq, unë jam i vetëdijshëm se ideja me papuçet nuk është kushedi sa origjinale, përveç faktit që kënga për papuçet “Gucci” po merr shumë miliona klikime. Pastaj, po të kishte ardhur me papuçe “Gucci”, të gjithë do ta kishin komentuar se Edi në Prishtinë po ndihet në shtëpi, sikur në bahçe të babës, pra atë bahçen metaforike, me kanabis, të cilën ia përmendin këtu në Kosovë sa herë u do puna për t’a sharë. Bahçen me kanabis ia përmend edhe Luli, por fjala e tij tashmë nuk ka peshë, sepse ai konsiderohet vetëm një klan rival i cili promovon “bahçen” e vet.


Kështu duhet pranuar se miku ynë, argëtuesi i masave Edi Rama, qysh e dini edhe ju, ka imagjinatë të bujshme, çka e ka pranuar edhe vet këto ditëve të fundit, në formën e arsyetimit publik lidhur me deklaratën për presidentin kombëtar. Pas kombinimit fatal të atleteve, me kollare, i duhej diçka ndryshe. Diçka më politike. Imagjinata mund të jetë pika më e dobët e një politikani në Ballkan, e sidomos ndër shqiptarët. Do ti të vishesh për qefin tënd, por të kap protokolli. Do të imagjinosh dhjetë vjet përpara, por të kapë opozita, ambasadat, të gjithë more vëlla. Të kapin të gjithë, si s’të kapin! Imagjinata nuk të duhet kur ke detyra shtëpie për të bërë, kur duhet ndjekur hapat që të kërkon procesi euroatlantik. E shihni, si mbijeton presidenti i Kosovës, pa troh imagjinate?! Asgjë nuk i mungon.

E pra, nuk është hera e parë. Edhe më herët Edi, sikurse edhe Hashimi, kishte luajtur me Evropën, e besa edhe me kandidatin e dikurshëm për president, e tash presidentin e SHBA-ve, atë lojën me dy topa të vegjël që në popull ka një emër pak më ndryshe, që nuk tingëllon edhe aq lexueshëm për një gazetë serioze. E ku ka gazetë serioze sot, do të thoni ju? Të gjitha janë argëtuese! As politika prej të cilës na varet gjithçka nuk është më serioze, por është thjesht argëtim për masat. Sot, politika, nuk është as si feja dikur kur e akuzonin si opium për masat, sepse tash opiumi është veç një gjysmë-fabrikat i politikës, ndërkohë që politika e feja suksesshëm argëtojnë masat në rrjete sociale dhe mediat e tjera.

Nejse, Edi duhet pranuar se na tronditi këto ditë me imagjinatën e tij të bujshme, e cila siç e thotë edhe vet, i ikën veç dhjetë vite përpara. Kurdise imagjinatën Edi, bëje me Evropën qendrore.

Gjithqysh bëre mirë që na e kujtove çështjen kombëtare në Parlament, sepse e kishim harruar pas dere, bashkë me flamurin e hequr “Te Rrethi”. Pa ndonjë skandal, askush nuk e përmend në tempullin e demokracisë kombin. Është turp, thotë Evropa, të përmendësh kombin para Listës Serbe, apo pinjollëve të neo-osmanizmit që mbajnë frerët e trojkës drejtuese kosovare. Pastaj, cili komb të përmendet? Një e kemi kur jemi të dehur, një kur jemi esëll. Një për vete, një për Evropën. Një për shpi, një për Pazar. Një për çifteli e një për protokoll. Eh, kombi!

Kështu, flamuri kuqezi që u hoq me polici, u rivu me argat krahu. Pra, deklarata ishte hakmarrje e Edit, për flamurin e hequr me polici? Aty për aty i erdhi ndërmend ideja se shqiptarëve u duhet veç një president, për të mos ndodhur më skandale të tilla. “Shqiptarët duhet të kenë një president”, tha ai. Salla solemne, me mysafirët e lartë, të ulur sipas qejfit, në lozhë, gumëzhiu. Bashkë me thënien e famshme: “Ka ardhur Rita”, shesheve të Prishtinës jehoi se paska ardhur edhe Edi.

Mund edhe të kishte ndodhur skandal, lidhur me këtë deklaratë, se qysh dihet Shqipëria e ka një president, e qe besa edhe Kosova e ka një. Janë tamam për Ballkanin. Mediat e huaja i shajnë për mafiozë, por këta nuk bezdisen; thjesht botojnë libra ku thonë të kundërtën. E kanë edhe një të përbashkët këta, përpos që janë miq: që të dy janë zgjedhur president, për t’i larguar nga pushteti. Evropa nuk i duroi, se kishin shumë fuqi, por nuk kishin imagjinatë.

E, përse Edi, pikërisht në dhjetëvjetorin e pavarësisë, hodhi deklaratën për presidentin e përbashkët? Ishte ky një kërcënim për serbët, për Evropën, Rusinë… se ne dimë edhe të bashkohemi, nëse bllokoni proceset? Jo! Edi thjesht ishte i shqetësuar se nuk do të binte në sy me gjithë atë tollovi. Pastaj kishte ardhur edhe Rita.

Njëherë mendova se do vinte me plis të bardhë e me veshje (ndër)kombëtare shqiptare, sikur Isë Boletini që pat shkuar në shpalljen e pavarësisë, në Vlorë. Ose do të vinte me ndonjë flamur kombëtar në dorë, por pas heqjes së flamurit te rrethi kjo ka ra si opsion. Mund ta “çarmatosnin” Edin, t’ia merrnin flamurin kuqezi dhe t’ia jepnin një verdh kaltër. Ruana Zot, ai edhe mund të rezistonte!

Papuçet “Gucci”, Edi! Është dashur të vije me papuçe dhe të mos traumatizoje presidentët! Pastaj, edhe ashtu, në koncert do përfundoje…