Salihu: 90% e dëmeve në mjedis nga njeriu – ja pse Kosova po përballet me mungesë uji

Kosova është përballur me mungesë të ujit që prej disa vitesh, ndërsa situata po përkeqësohet gradualisht për shkak të kombinimit të ndryshimeve klimatike dhe ndërhyrjeve njerëzore. Kështu ka deklaruar Krenare Salihu në “Përballje Podcast”.
Ajo theksoi se vendi është identifikuar si zonë me “stres uji” që më herët, bazuar në raportet ndërkombëtare.
“Kosova ka qenë krizë edhe para shtatë ose tetë viteve… kur është rangu në listën e shteteve me stres uji apo mungesë uji”, u shpreh Salihu shkruan Telegrafi.
Sipas saj, mungesa e ujit po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Salihu shpjegoi se një ndër faktorët kryesorë mbeten ndryshimet klimatike, të cilat kanë ndikuar në uljen e reshjeve dhe në ndryshimin e shpërndarjes së tyre.
“Çdo ditë e më shumë po vërehet mungesa. Kemi shumë më pak reshje, ose reshje përnjëherë në kohën kur toka nuk e thith ujin”, deklaroi ajo.
Megjithatë, ajo nënvizoi se përgjegjësia kryesore bie mbi faktorët njerëzorë.
- YouTube www.youtube.com
“Krejt dëmet që ia bëjnë mjedisit… nëntëdhjetë për qind është faktori njeri”, tha Salihu.
Sipas saj, ndërhyrjet në mjedis – përfshirë pyjet, lumenjtë dhe ajrin – po ndikojnë drejtpërdrejt në përkeqësimin e situatës me ujë.
Ajo shtoi se kjo situatë është paradoksale, duke pasur parasysh rolin që duhet të ketë njeriu në mbrojtjen e mjedisit.
“Faktori njeri është ai që duhet me mbrojtë, por shpesh po veprojmë në të kundërtën”, theksoi Salihu.
Në fund, ajo paralajmëroi se pa ndërhyrje konkrete dhe rritje të vetëdijes, problemet me furnizimin me ujë në Kosovë mund të bëhen edhe më të theksuara në të ardhmen./Telegrafi/.






















































