Ndryshimet klimatike dhe menaxhimi i dobët i burimeve ujore po e shtyjnë Kosovën drejt një situate gjithnjë e më të vështirë sa i përket furnizimit me ujë. Kështu ka paralajmëruar Krenare Salihu nga organizata mjedisore ‘Ecopana” në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.




Ajo theksoi se ndryshimet klimatike tashmë janë të dukshme në Kosovë, duke përmendur mungesën e reshjeve dhe rritjen e temperaturave.

“Brenda tre-katër viteve s’kemi pasur borë të madhe në Prishtinë që ka pasë ma herët. Kemi shumë pak reshje… në vjeshtë ndodh thatësira, në verë kemi temperatura shumë më të larta”, tha Salihu.

Sipas saj, të dhënat tregojnë se temperatura është rritur ndjeshëm.

“Temperatura është ngritë sipas statistikave një pikë pesë gradë më sot sesa më herët”, u shpreh ajo.

Salihu theksoi se këto zhvillime janë tregues të qartë se vendi po përballet me mungesë të ujit.

“Krejt këto e tregojnë që për fat të keq Kosova ka mungesë uji, Kosova ka stres uji”, deklaroi ajo.

- YouTube www.youtube.com

Ajo shtoi se situata rëndohet edhe më shumë për shkak të mënyrës se si menaxhohen lumenjtë dhe burimet ujore.

“Nëse ne nuk kujdesemi për ata lumenj… dhe nuk kemi menaxhim të mirë të resurseve ujore, ne kemi me mbetë pa ujë”, paralajmëroi Salihu.


Sipas saj, në mungesë të ujit të pijshëm nga çezma, qytetarët mund të detyrohen të varen nga uji i ambalazhuar.

“Po frikoj që kemi me u varë prej shisheve të plastikës… dhe kjo sjell shumë probleme tjera, shëndetësore dhe mjedisore”, tha ajo.

Në fund, Salihu theksoi se nëse nuk ndërmerren masa konkrete, kriza e ujit mund të bëhet e përhershme dhe të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve./Telegrafi/.