Edhe Drenasi bëhet me palestër moderne

Sporti i Drenasit dje ka zyrtarizuar palestrën e re sportive, ndërsa në këtë solemnitet kanë qenë të pranishëm edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, kryetari i Komunës, Nexhat Demaku, kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, si dhe sportistë e qytetarë.
Me këtë rast është zhvilluar edhe ndeshja në Superligën e Hendbollit, mes Drenicës kundër Vëllaznimit, që është edhe ndeshja e parë zyrtare në këtë palestër.
Ministri Krasniqi tha se palestra në Drenas do të jetë një nga hapësirat më të rëndësishme për sportistët dhe të rinjtë. Ai shtoi se gradualisht çdo komunë në Kosovë po e kompleton infrastrukturën e nevojshme për gara sportive. Ky, tha ai, ka qenë vizion i MKRS-së, raporton Sporti1.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku ka falënderuar MKRS-në për investimet e shumta që ka bërë në sport në Komunën e Drenasit. Ai tha se këto janë shumë të rëndësishme për të rinjtë. Demaku premtoi se komuna do të rrisë përkrahjen për sportin, si një nga segmentet e rëndësishme për zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi.
Kryetari i FHK-së, Eugen Saraçini vlerësoi lartë angazhimin e MKRS-së në përmirësimin e infrastrukturës sportive, për çka tha ai, po ndihmon shumë në zhvillimin e sportit. /Telegrafi/



















































