Rama: Përfundon ndërtimi i rrethit në hyrje të Prishtinës nga Gjilani


Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka njoftuar se ka përfunduar ndërtimi i rrethit në hyrje të kryeqytetit nga drejtimi i Gjilanit, projekt për të cilin ai ka thënë se është realizuar nga Komuna e Prishtinës, ndonëse sipas tij bëhet fjalë për një përgjegjësi të nivelit qendror.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka deklaruar se ky investim synon të lehtësojë qarkullimin dhe qasjen e qytetarëve në kryeqytet, veçanërisht për ata që vijnë nga Gjilani.
“Rrethi në hyrje të Prishtinës nga Gjilani u kry”, ka shkruar Rama.
Ai ka theksuar se projekti i takon kompetencave të Qeverisë së Kosovës, pasi ndodhet në një segment të rrugës magjistrale, por sipas tij, institucionet qendrore nuk e kanë realizuar atë.
“Ky rreth është përgjegjësi e Qeverisë Qendrore, sepse i takon rrugës magjistrale. Por meqë tash e 6 vjet kjo qeveri është marrë me përralla e ofendime e jo me punë, ne si Kryeqytet e kemi kry vet këtë projekt, që me lehtësu trafikun dhe qasjen për qytetarët e Prishtinës e sidomos atyre që vijnë nga Gjilani”, ka deklaruar ai.
Rama ka bërë të ditur gjithashtu se në ditët në vijim do të hapet për qarkullim edhe “Rruga A”, ndërsa ka paralajmëruar nisjen e punimeve për projektin e “Penetrimit të Veternikut”.
“Në ditët në vijim hapet për qarkullim ‘Rruga A’. Shumë shpejt nisin edhe punimet për ‘Penetrimin e Veternikut’”, ka njoftuar kryetari i Prishtinës. /Telegrafi/

































