eksperti-banner

Qeveria e udhëhequr nga Hashim Thaçi deri më tash ka shpenzuar mbi 200 mijë euro vetëm për blerjen e telefonave mobilë për zyrtarët e saj. Gazeta “Lajm” raportoi se të gjithë qeveritarët duan telefona mobilë të tipit “Nokia E71”, i cili nëpër dyqanet e Prishtinës kushton pak më shumë se 300 euro!

Vetëm Zyra e Kryeministrit për blerjen e telefonave të tillë ka shpenzuar mbi 10 mijë euro. Por edhe të 17 ministritë e kanë bërë të njëjtin veprim. Tashmë Kosova vërtet do të mburret me E Qeverisje - por jo me qeverisjen elektronike shumë të propaganduar, por me “E71 Qeverisje”.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, ka thënë se telefoni mobil tashmë është nevojë për secilin. “Këshilltarët politikë nuk kanë orar të caktuar dhe nuk janë gjithë kohës në zyrë, andaj komunikimi me telefon për ta është i domosdoshëm”.

Çështja është: athua nuk munden këshilltarët të flasin me telefona më të lirë? Apo nuk na çajnë kokën përditë duke na përmendur se po ndërtojnë shtet? E, shteti nuk ndërtohet duke shpenzuar në luks, por duke kursyer e punuar ashtu siç duhet.

Zëdhënësi Krasniqi, po ashtu, tha se në qeverinë aktuale nuk ka telefona roaming. “I tillë tani është vetëm një telefon”. Por, “Lajm” raporton se përveç shpenzimeve të bëra për blerjen e telefonave, qeveria pas ndërprerjes së telefonave roaming për stafin politik është kujdesur sërish që ata të kenë mundësi të mjaftueshme për komunikim.

Kështu, këshilltarëve politikë u takojnë nga 70 euro mbushje në muaj. Nëse llogaritet se kryeministri i ka 12 këshilltarë, zëvendësit e tij dhe ministrat nga gjashtë këshilltarë dhe për secilin nga ta shpenzohen 70 euro në muaj, i bie që për një vit, vetëm për mbushje të telefonave mobilë të shpenzohen rreth 100 mijë euro!

Sa për informatë, këshilltarë e zyrtarë të tjerë të institucioneve shpesh i qerasin të afërm, miq e dashamirë me mbushje telefoni, sepse i shfrytëzojnë telefonat fiks. 70 euro janë shumë dhe nuk mund t’i harxhojnë për punët që i kryejnë, edhe nëse punojnë ditë e natë.
Mbase dikujt i duket jo me vend që të shtrohet pyetja se, si ndodh që qeveritarët të shpenzojnë kaq para në të tilla gjëra, në kohën kur shumë qytetarë mezi e sigurojnë bukën e gojës? Fatkeqësisht, realiteti është i tillë. Kosova nuk po përparon në aspektin social e ekonomik, por në E Qeverisje. Pardon, në E71 Qeverisje!

PS: Zyrtarët më të lartë në Ministrinë e Ambientit dhe të Planifikimit Hapësinor janë kujdesur që për vete të kenë telefona mobilë të tipit iPhone, të cilët në Kosovë kushtojnë disa qindra euro. Po përparon qeverisja!

/Gazeta “Profil”/