Kalaja e mposhti ekipin Ylli 04 me rezultat, besoni ose jo, 130:0. Gjithçka ndodhi fundjavën që shkoi, ku u përballën dy skuadrat prizrenase, në Grupin B, i cili përfshin skuadrat nga Rrafshi i Dukagjinit, grupmoshat 2001-2002.

Djelmoshat e Kalajës u treguan të pamëshirshëm ndaj moshatarëve të tyre, duke e regjistruar një rekord në basketbollin vendor, pasi s’kishte bërë vaki më herët që një ekip të mos e shënonte asnjë pikë në harkun e 40 minutave lojë.


Trajneri i Kalajës, Vigan Bytyqi, po e shijon këtë rezultat. Ai tregon se lojtarët e tij ishin të vendosur që ta fitonin këtë lojë me rezultat të thellë, duke mos i dhënë asnjë rast kundërshtarit, transmeton "Zëri".

“Djelmoshat tanë kanë qenë jashtëzakonisht të motivuar, kanë luajtur me zemër gjatë tërë lojës. Për 40 minuta i kanë bërë presion kundërshtarit, duke ia mohuar shpesh ta kalojë gjysmën e fushës. Lojtarët e mi kanë qenë të bashkuar me njëri-tjetrin, duke e ndërtuar një mbrojtje të fortë dhe duke mos i dhënë raste kundërshtarit. Kemi bërë disa ndryshime në ekip, duke ua dhënë rastin të gjithë lojtarëve, pasi rezultati ka mundur të ishte edhe më i thellë”, deklaroi Bytyqi për “Zërin”.
 

telegrafi sport app