LAJMI I FUNDIT:

A e dini se në cilin vend ishte Uellsi në FIFA para shkëlqimit në evropian

A e dini se në cilin vend ishte Uellsi në FIFA para shkëlqimit në evropian

Përfaqësuesja e Uellsit në futboll po del të jetë befasia më e madhe dhe më e këndshme në “Euro 2016”. Futbollistët e seleksionuesit Chris Coleman, janë shndërruar në heronj të vërtetë në Uells.

Ekipi uellsian është kualifikuar në gjysmëfinale të “Euro 2016” dhe përballë do ta ketë Përfaqësuesen e Portugalisë, përcjell Koha Ditore shkrimin e The Guardian.


Në pesë ndeshje të zhvilluara në këtë evropian, Uellsi ka vetëm një humbje, atë nga Anglia (2:1) në kuadër të fazës së grupeve. Uellsi në çerekfinale eliminoi Belgjikën e madhe me rezultatin 3:1. Por, si ka filluar ky udhëtim i Uellsit, që para një kohe renditej në pozitën e 116-të të ranglistës së FIFA-s!

Angazhimi i Colemanit

Janar 2012: Nën drejtimin e të ndjerit Gary Speed, Uellsi u ngrit në pozitën e 48-të të FIFA-s nga ajo e 116-ta, dhe Chris Colemanit, ish-trajnerit të Fulhamit, iu dha një detyrë e vështirë. Coleman duhej të vazhdonte rrugën e nisur nga Speed, të zhvillonte edhe më shumë ekipin për të pasur rezultate në të ardhmen.
“Jam krenar që jam emëruar trajner i Uellsit, por jam i mërzitur për shkak të situatës në të cilën gjendem, e cila aspak nuk është e lehtë”, pati thënë Coleman në prezantim.

Starti i dobët

Shtator 2013: Periudha i Colemanit nis në mënyrë katastrofale, pasi në tetë ndeshje të zhvilluara gjatë eliminatoreve për botërorin “Brazili 2014”, Uellsi regjistron vetëm dy fitore krahas gjashtë humbjeve. Uellsi përfundoi i parafundit në grup dhe gjasat për t’u kualifikuar në botëror iu shuan shumë kohë pa përfunduar ndeshjet eliminatore. Me gjithë këto rezultateve të dobëta, Federata e Futbollit e Uellsit i qëndroi në krah Colemanit. Tani po del se ka marrë vendimin më të mirë të mundshëm.

Ramsey si shpëtimtar

Tetor 2013: Aaron Ramsey shënon në minutat vendimtare të ndeshjes së fundit eliminatore për botërorin 2014, në të cilën Uellsi barazon 1:1 me Belgjikën. Njëherit në këtë ndeshje paraqitjen e fundit te Uellsi e regjistroi Craig Bellamy. Barazimi ul paksa presionin mbi Colemanin, e ardhmja e të cilit mbetet në dyshim.

Pika e kthimit

Qershor 2015: Një gol i shënuar nga Gareth Bale mundëson fitore domethënëse për Uellsin kundër Belgjikës, që nuk kishte humbur prej çerekfinales të botërorit 2014. Kjo fitore historike, e forcon Uellsin në krye të grupit për eliminatoret e “Euro 2016” kur kishin mbetur edhe katër xhiro. Uellsi fillon të ëndërrojë kualifikimin në evropian.

Mbi fqinjët e zhurmshëm

Shtator 2015: Uellsi del mbi Anglinë në ranglistën e FIFA-s dhe udhëheqë grupin në eliminatoret për “Euro 2016”. Uellsi kalon në pozitën e nëntë në ranglistë, një më lart se Anglia. Coleman këtë listë e quan si “vetëbesim shtesë për ekipin” por shton se asgjë nuk është e sigurt sa i përket kualifikimit në “Euro 2016”.

Njerëzit e historisë kualifikohen për Francë

Tetor 2015: Me gjithë humbjen 2:0 nga Bosnja, lajmi për fitoren e Qipros përballë Izraelit, shpërthen në festë të çmendur te ekipi i Uellsit. Uellsit i garantohen dy vendet e para në grup, përkatësisht kualifikimi i parë në një turne të madh që prej botërorit të vitit 1958.

Kalimi nga faza e grupeve

20 qershor 2016: Uellsi e kalon me sukses fazën e grupeve, pasi përfundoi i parë në Grupin B. Mposhti Sllovakinë dhe Rusinë për të avancuar tutje, përkundër humbjes nga Anglia. Në 1/8 e finales, Uellsit i mjaftoi një autogol i Gareth McAuleyt për ta eliminuar Irlandën e Veriut dhe për ta shijuar çerekfinalen.

Fitorja 3:1

1 korrik 2016: Një fitore e madhe dhe e papritur e Uellsit përballë Belgjikës, që llogaritej favorite absolute. Përkundër golit të disavantazhit, Uellsi u kthye dhe arriti fitoren me golat e Ashley Williams, Hal Robson-Kanu e Sam Vokes. “Jemi ende në Francë. Ky është lajmi më i mirë prej se kam marrë ekipin”, tha seleksionuesi Coleman.