E akuzuar për evazion fiskal dhe shpërlarje parash, ylli francez i filmave Isabelle Adjani dënohet me 10 muaj burg dhe gjobitet me 10 mijë euro


Aktorja e njohur franceze Isabelle Adjani është dënuar nga Gjykata e Apelit në Paris me 10 muaj burg me kusht dhe një gjobë prej 10 mijë eurosh, pasi u shpall fajtore për evazion fiskal dhe pastrim parash.
Vendimi i ri përfaqëson një lehtësim të ndjeshëm krahasuar me dënimin e shkallës së parë. Në dhjetor të vitit 2023, ylli i filmit Mbretëresha Margot ishte dënuar me dy vjet burg me kusht dhe një gjobë prej 250 mijë eurosh.
Njëri prej avokatëve të saj, David Lepidi, e cilësoi vendimin si një lehtësim, por bëri të ditur se çështja nuk përfundon me kaq.
“E gjithë kjo zhurmë rreth kësaj çështjeje dhe në fund sanksioni penal u ul në mënyrë drastike”, deklaroi ai, duke shtuar se vendimi do të apelohet në Gjykatën e Kasacionit.
Aktorja 71-vjeçare, e nominuar dy herë për çmimin Oscar për rolet në filmat Historia e Adele Hugo dhe Camille Claudel, u shpall fajtore për deklarim të rremë të vendbanimit të saj në Portugali gjatë viteve 2016 dhe 2017, fshehjen e një kredie në vitin 2013, si dhe transferimin e një shume parash në Shtetet e Bashkuara në vitin 2014.
Gjatë procesit gjyqësor, i cili nisi në muajin prill, Adjani deklaroi se vuan nga ajo që e quajti “fobi burokratike” dhe akuzoi një zyrtar tatimor se i kishte premtuar se do t’i rregullonte çështjet financiare.
“Në mënyrë të rreme, si të gjithë grabitqarët që kam pasur fatin të takoj në jetën time”, tha aktorja, duke pretenduar se është ndëshkuar edhe pse, sipas saj, ka qenë viktimë e mashtrimeve.
Ajo pranoi gjithashtu se nuk kishte paraqitur kurrë vetë një deklaratë tatimore.
“Do të jem e sinqertë, nuk kam paraqitur kurrë një deklaratë tatimore. Dhe për fat të mirë, sepse kjo do të kishte qenë një katastrofë”, u shpreh ajo, duke këmbëngulur se nuk është hajdute, por “preja ideale” e personave që kanë përfituar prej saj.
Adjani deklaroi gjithashtu se nuk do të ishte në gjendje të organizonte një mashtrim tatimor.
“Jam e paaftë, nuk di të numëroj dhe nuk jam e interesuar të zotëroj asgjë”, tha ajo para trupit gjykues.
Nga ana tjetër, prokurori Ralph Boussier argumentoi se aktorja kishte qendrën e interesave të saj në Francë dhe, për këtë arsye, ishte e detyruar të deklaronte të ardhurat dhe të paguante taksat në vend.
“Është e qartë se ajo ishte banore e Francës dhe vetëm herë pas here jetonte në Portugali. Një person, interesat e të cilit janë në Francë, duhet të paraqesë deklaratë tatimore në Francë”, u shpreh prokurori. /Telegrafi/


















































