Kjo gjë dhe ky rezultat e bënë të dyshojë trajnerin e njohur, Musa Selimin, që me plot sukses është duke e udhëhequr skuadrën e Gjilanit këtë kampionat. “Nga etika nuk flas për këso raste, por e kam vërejtur që Llapi ka qenë i fiksuar pas titullit të kampionit vjeshtor. Unë nuk i mbështes këto rezultate dhe sa të jem unë në Gjilan nuk do të ketë fitore pa djersë, pasi nuk duhet të mësohen lojtarët të fitojnë ashtu. Vetë rezultati 7:1 të bënë të dyshosh, edhe pse unë nuk e di nëse ka pasur një gjë të tillë. E dëgjova që rezultati në pjesën e parë ishte 4:1 për Llapin dhe më thanë që mund të rritet deri në shtatë apo tetë. Ne e dimë që pas këtij rezultati do të jemi të dytit, por nuk do të luajë rol për ne, kur e dimë që të gjitha rezultatet i kemi arritur me djersë”, pohoi për gazetën Arena, trajneri Musa Selimi, i cili shtoi se këto gjëra nuk e dërgojnë futbollin në rrugën e duhur dhe se FFK duhet të jetë më sy hapur.


Akterët mohojnë kurdisjen, trajnerët në pushim


Trajneri i Llapit, Tahir Batatina njihet si person shumë i lidhur me klubin e tij, madje e ka drejtuar atë edhe kur nuk kishte të drejtë për shkak të mungesës së licencës. Mirëpo, të hënën ai nuk ishte në ndeshje. “Nuk kam mundur të jem në ndeshje sepse jam qenë me një seminar dy javor. Ndeshja ka përfunduar mirë dhe gjithçka ka shkuar mirë. E kam përgatit edhe ndihmësin qysh me vepruar. Loja ka qenë e mirë”, deklaroi Batatina.
I pyetur se a është rezultati i dyshimit dhe ky rezultat në rast fitoreje në ndeshjen e fundit ju bënë kampion ai shtoi: “Jo. Kjo tregon se lojtarët e Llapit prej euforisë me Fushë Kosovën ku barazuan, kanë shpërthyer me Kosovën e Prishtinës. Kanë qenë shumë dëshmitar, Llapi ka dominuar gjatë tërë lojës, ku ka pasur golat, realizimin. Thonë çka të thonë, por Llapi ka pasur raste me i shënuar së paku dhjetë gola”, deklaroi Batatina, i cili ishte në seminar për akademinë ushtarake që ai e ndjek.
“Timonieri” llapjan shtoi se skuadra e tij ka problem me terren, e ai në Flamurtar i mundësoi të tregojë lojë, ndërsa nga tash e tutje të gjitha skuadrat që luajnë kundër Llapit do ta kenë kështu.


Bllacaku: Shtatë gola i kemi marrë edhe nga Dukagjini

Edhe drejtori sportiv i Kosovës së Prishtinës, Haki Bllacaku,, e mohon se skuadra e tij e ka hapur portën. “Kemi pësuar humbje edhe nga Dukagjini me rezultat 7:1. Sot (dje) kemi luajtur me dhjetë lojtarë prej minutës së shtatë. Nuk është ajo ekipa që ishte në fillim. Kishim mungesë 6-7 lojtarë të lënduar. Kanë qenë të lënduar Ardian Luta, Etnik Durmishi, qendërmbrojtësi Flamuri. Dukagjini na ka mposhtur 7:1 dhe nuk po vijmë në vete. Nuk ka pas lidhje për dyshime, garantoj. Tash jemi të rrezikuar për me ra prej lige. Ne nuk merremi me aso punë (kurdisje)”, pohoi Bllacaku.
Golat në këtë takim i shënuan Edon Zeqiri (tri), Getoar Dragusha (dy) dhe nga një herë Benjamin Emini dhe Hamdi Namani. Për Kosovën shënoi Blend Bregovina.

telegrafi sport app