Dy vjetori i varësisë

Festuam ditën e pavarësisë së Kosovës me flamuj kombëtarë si asnjëherë më parë, në mënyrë dinjitoze ashtu si na ka hije, duke besuar se filloi etapë e re e zgjidhjes së çështjes sonë kombëtare. Nga populli anembanë kjo ditë ishte një shpresë më tepër se më në fund u vunë në binarë përpjekjet shekullore për liri kombëtare! Por, entuziazmi dhe shkëlqimi kuq e zi i asaj dite shpejt u zbeh. Si peshqesh për “pavarësinë e Kosovës” na dhanë një pëlhurë multietnike me të cilën do të njiheshim nga të tjerët dhe një pako në të cilën shkruante se Kosova është më së paku shqiptare.
Shumë shpejt, ata që deshën të na njohin, na njohën ashtu si deshën vetë, e jo si deshëm ne të na njohin. Ndërsa ata që nuk duan të na njohin kanë arritur që me përpjekjet e tyre drejtësinë ndërkombëtare ta vënë në gjyq, e bashkë me të edhe pavarësinë e kushtëzuar e të cunguar të Kosovës.
Ata që na njohën, tani kanë instaluar ligjin e tyre të quajtur EULEX, dhe me anë të ligjit të tyre po përpiqen e po synojnë, të paktën me fjalë, të vendosin rend e ligj në Kosovë duke shfrytëzuar vazhdimisht të drejtën e të qenit mbi ligjin!
Duke patur këtë privilegj dhe duke administruar siç do vetë, administrata e EULEX-it deri më tani mbeti trashëgimtare e denjë e strukturës paraprake të saj UNMIK-ut,asgjë tjetër nuk ndryshoi, madje ajo ka marrë përsipër që t`i çojë në vend amanetet që ia pati lënë struktura famëkeqe e quajtur UNMIK!
Strukturat paralele të Serbisë në Kosovë po forcohen gjithnjë e më tepër. Plani i pakos që na dhanë peshqesh për “pavarësi” i ka legjitimuar edhe më tepër këto struktura, duke u dhënë në duart e tyre edhe pushtetin, gjykatat, policinë e të tjera. Kufijve të Kosovës në pjesën veriore qëmoti siç thotë populli “ua kanë heqë havalen” dhe ajo pjesë është shndërruar në një terren të përshtatshëm për lulëzimin e kontrabandës, përfitimeve të paligjshme e trafikimeve, ku nuk marrin pjesë vetëm serbët, por edhe shqiptarët.
U bënë dy vjet nga dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe ende politika jonë po i mbyll sytë ndaj realitetit dhe si pasojë, përderisa ne nuk jemi në gjendje ta kuptojmë realitetin tonë, si do ta kuptojnë të tjerët! Politikës sonë siç edhe po shihet çdo ditë, i ka mbetur vetëm një aleat, e ai aleat është EULEX-i, i cili me ndihmën e tyre e ka më të lehtë ta qeverisë Kosovën e cunguar sipas interesave të tyre!
Çdo ditë e më tepër po shihet se ky vend, i quajtur “Kosovë e Pavarur” po e humb kuptimin të cilin do të duhej ta kishte. Në prag të këtij përvjetori të dytë, aq të mëdha janë pakënaqësitë sa që nuk po na bie ndërmend ta ndjejmë kënaqësinë që do ta kishim. Çdo ditë e më tepër, po e ndjejmë që po na zihet fryma nga varfëria, papunësia e madhe, nga intrigat,gënjeshtrat,shpifjet, keqpërdorimet marramendëse, pasurimet brenda natës të individëve, grupeve e klaneve të caktuara.
Çdo ditë e më tepër po e shohim se në skenë kanë dalë kundërvlera, njerëz të paskrupullt, injorantë, të pa arsimuar, të pa edukuar, njerëz që në rend të parë të veprimeve të përditshme kanë vendosur interesin e përfitimit personal e grupor. Dhe të gjitha këto kanë ndodhur dhe po ndodhin para syve tanë, në një “shtet demokratik”, në të cilin çdo ditë e më tepër po lulëzon e keqja.
Të gjithë këta tipa njerezish e grupesh, nuk kanë dalë rastësisht në skenë. Ata për të tjerët janë shumë të mirë, shumë të dëgjueshëm, përkrahen nga të tjerët, marrin mbështetje nga të tjerët sepse, me ta më lehtë sundohet, më lehtë arrihen interesat e huaja. Vetëm interesat tona kombëtare nuk mund të arrihen me ta, të tjerat po.
Pavarësia e shpallur e Kosovës ishte pavarësi e kushtëzuar, politika jonë ia interpretoi popullit si pavarësi të plotë. Me këtë rast, ajo e gënjeu popullin. Plani i Ahtisarit për decentralizim, nuk garantonte pavarësi shteti. Siç po shihet, ky plan ka garantuar kaotizëm dhe ndarje të Kosovës! Politika jonë e përkrahu dhe ende vazhdon ta përkrahë, ndërkohë mban plot gojën pavarësi!
Të gjitha këto zhvillime na sollën këtu ku jemi. Kriza politike, ekonomike, sociale, sa vjen e thellohet. Ndërkohë, kjo gjendje na ka vënë edhe në krizë identiteti neve si popull.Kosova para të tjerëve tani, më së paku paraqitet shqiptare. Masat e gjera të popullit dhe ata që u sakrifikuan për lirinë tonë, as në ëndërr nuk e kanë parë një Kosovë të tillë “të Pavarur”.




































