LAJMI I FUNDIT:

Dy tregime për historinë e shqiptarëve…

Për një histori dhe disa variante, ia bëra një zjarr kokës dhe mendova njëherë ku jam kah jetoj, në këtë atdheun tim fisnik, në këtë atdheun tim të çuditshëm i cili nuk di të shkëputet nga hija e keqe e tij…

Rilindja kombëtare…


Rilindësit tanë dhanë kumtin se ‘’Dielli i shqiptarëve lind në Perëndim’’. Nuk ishte ky kumt një trill letrar, një maskim para Zotit dhe historisë. Ishte kumt burimor, i analizuar mirë. Ishte lidhja, orientimi, rruga drejt Perëndimit.

Perandoria osmane ishte në grahmat e fundit pas një pushtimi pesë shekullor. Më pas do të tentoj të jap një vlerësim se çfarë ishte ky pushtim, por edhe në rastin më ideal sikur të ndodhte mrekullia dhe dashuria planetare e botës, pesë shekuj janë shumë, janë gjurmë në traditë, kulturë, veshje, mentalitet… Një tjetër rilindës, Pashko Vasa, klithi: ‘’Mos shikoni kisha dhe xhamia, feja e shqiptarit është shqiptaria’’. Edhe ky kumt nuk ishte trill letrar as përrallë dimri, ishte ide fondamentale që shqiptarët të mos e shikonin religjionin si ide themelore apo busulle të pikënisjes, por shqiptarinë, kombin, idenë nacionale.

Shqiptarët e dëgjuan kumtin dhe bënë mirë… Kështu, të parët tanë ndërtuan atë që mundën: një shtet shqiptar të sakatosur dhe disa oaza kombëtare të shpërndara nëpër shumë shtete. Këto oaza arritën ta ruajnë idenë kombëtare, edhe pse u gjendën në një trysni të paparë, sidomos nga shtetet sllave, për të ndryshuar kahun e historisë shqiptare duke përdorur konceptin se shqiptarët – duke qenë me shumicë islame – nuk janë shqiptarë sipas recetës sllave, por qenkan turq. Ky projekt i errët është realizuar me ndihmën e shtetit turk që nuk ishte Perandoria Osmane, por shteti turk pas Ataturkut i cili i realizoi këto plane të errëta dhe madje asimiloi shumicën e shqiptarëve që arritën në brigjet e Anadollit.

Historia…

Ka dy histori që sidomos në Kosovën e pasluftës kanë filluar me zanë kokë dhe me na mësua se çka na ka gjetë në tallazet e moteve. Historia e parë tradicionale që e kemi mësuar është ajo e një pushtimi të egër pesëshekullor, e cila me dhunë, me obligime të rënda tatimore, me rekrutime për të të dërguar në luftëra në shkretëtirë, për të mos u kthyer kurrë (tradita popullore i ka këngët e nizamëve si produkt të kësaj kohe )… Pikërisht në këtë periudhë kishte një trysni për të ndërruar fenë. Këtë e hasim edhe sot në rrethin e Gjakovës, tek procesi i laramanizimit; tek trashëgimia e emrave, ku në fund të procesit të kalimit në islam, familjet kanë pasë emra myslimanë tek organet turke të kohës dhe emër të krishterë në shtëpi. Në procesin e trashëgimit të emrave edhe sot këta emra trashëgohen dhe janë trashëguar në kujtim të emrit të gjyshit.

Historia e dytë, e cila tani ka filluar me zanë kokë është se shqiptarët nuk e ndërruan fenë me dhunë dhe me trysni, por me dashuri të paparë dhe me vizion për të ruajtur kombin. Përkundër respektit për mendimin alternativ, kjo përrallë është shumë vështirë të besohet dhe të dokumentohet. E para, nuk mund të ketë dashuri kur je në pushtim; dhe e dyta, kishte një përpjekje të organizuar të perandorisë që me taksa, shtypje, shkop dhe karrot të ndërrohet struktura fetare e kombit.

Arsyetimi se të parët tanë ishin kaq vizionarë dhe me kalimin në islam e mbrojtën tërësinë kombëtare, është kaq banal sa nuk mund të përshkruhet dhe as të dokumentohet. Atëherë si u bë që shqiptarët myslimanë, katolikë dhe ortodoksë dolën të gjithë bashkë krahë për krahë, me ide nacionale, me frymë kombëtare, me nacionalizëm atdhetar… në fundin e perandorisë. Ne nuk kemi asnjë fakt të ditur, asnjë premisë se katolikët dhe ortodoksët e mohuan kombin, se notuan në ujëra të turbullta të historisë. Përkundrazi, kemi fakte të bollshme se katolikët dhe ortodoksët e mbrojtën kombin me një dashuri të paparë, me gjuhë, me gjak, me libra. Prandaj, në fund të procesit dolën së bashku të gjithë kokë për kokë.

Duhet pyetur këta historianë fantazma, në këtë kohë materializmi dhe shfrenimi të paparë: si e mbrojti islamizmi i shqiptarëve kombin dhe përse u rrezikua qenia kombëtare nga katolikët dhe ortodoksët që po del si pasojë dhe jo si realitet? Apo si ndodhi e kundërta, se projekti i perandorisë ishte që me anë të islamit të identifikohej feja e shqiptarëve me Portën e lartë për të zhdukur shqiptarizmën, kurth ky barbar që shqiptarët e besimit islamë, nën peshën e dijetarëve të këtij besimi, i ikën për mrekulli dhe ne sot si shqiptarë të tri besimeve jemi të lumtur dhe kemi të drejtë të bartim kumtin e fitores…

Neotomanizmi dhe historia…

Në periudhën e pasluftës, pikërisht në kohën kur do të duhej të jemi të kujdesshëm për kontributin e shteteve që e bënë lirinë e Kosovës realitet, pikërisht atëherë kur erdhi koha dhe kumti i rilindësve se “Dielli i shqiptarëve lind në Perëndim”, Kosova u bë një vend pa porta, ku secili ia lodron historinë. Padrejtësisht dhe pa ndonjë synim strategjik, Kosova filloi të hapet ndaj Turqisë e cila pret me vite para portave të Evropës, por porta nuk i hapet dot. Nëse ka arsye Bashkimi Evropian që të mos e pranojë Turqinë në BE, nëse ka divergjenca të thella për këtë, atëherë si e synojmë ne BE-në si kryefjalë dhe kryelajm politik, duke u paketuar nën ambalazhin e Turqisë – prej asfaltit e deri tek librat shkollor.

Rishikimi i librave shkollor me komisione të përbashkëta me “ekspertët turq” të historisë, nën tutelën e vazhdueshme e madje serike të ambasadës turke në Prishtinë, është i dëmshëm dhe me prapavijë të errët për kohezionin kombëtar të shqiptarëve. Duhet pranuar faktin se librat e historisë nuk janë perfekte dhe kanë nevojë për rishikim, por ky rishikim do të duhej të behej kur historianët e Kosovës t’i kaplojë mrekullia shkencore para ideve politike; do të duhej të bëhej pas një debati të brendshëm shkencor dhe të argumentuar dhe për të gjitha periudhat historike, e jo sikur po pretendohet nën tutelën e plotë të qeverisë turke, ambasadës turke dhe nën mbikëqyrjen ‘’fenomenale’’ të ekspertëve turq.

Nëse kjo profeci e errët realizohet, atëherë do të jetë me interes të veçantë si do të portretizohet marrëveshja turko-jugosllave për zbrazjen e trojeve shqiptare, sipas planeve të Çubriloviqit; dërgimi i rreth 500 mijë shqiptarëve në shkretëtirën e Anadollit; asimilimi pothuajse i plotë i tyre; kontributin e një pjese të klerikëve islamë në këtë mizori të cilët u mashtruan nga padija dhe dhuratat solemne për të mashtruar njerëzit e thjeshtë se në shkretëtirat e Anadollit ju pret mrekullia. Kjo ka ndodhur pas perandorisë osmane. Nuk është e largët dita për ta harruar kaq lehtë. Madje, ekspertët e rinj që do të na vijnë nga Turqia, sa e kanë pasë filluar shkollën kur ka ndodhur kjo kasaphanë e identitetit kombëtar shqiptar.

Në librat tanë “ të shkëlqyeshëm dhe të tmerrshëm”, gjenden edhe formulime të tilla se trojet shqiptare i kanë dhënë Turqisë pashallarë, vezirë, sadriazemë… Këto formulime shpeshherë paketohen si vlera pozitive dhe nuk potencohet fakti se ata kanë qenë në shërbim të perandorisë, jo edhe në tërësi me fajin e tyre, sepse atje i ka dërguar procesi i pushtimit shekullor. Por, shpeshherë në shtypjen e ideve liridashëse të njeriut dhe botës, çfarë do të thonë ekspertët e “shkëlqyeshëm dhe të tmerrshëm” për këtë copë historie…

Qëllimisht nuk e përmenda esenë e “shkëlqyeshme dhe të tmerrshme”, “Shkupi”, të shkrimtarit Kim Mehmeti. Por, në këto ujëra të portretizimit të njeriut të ri shqiptar që nuk ka nacionalen e shekujve prapa, por identitetin fetar të vizatuar në ballë duke i pri ”’kombit dhe historisë”, noton ai nocion “mrekullibërës” si e tha hirësia: “Matematikisht dhe statitikisht” se Shkupi është në liri planetare, i vetëm përballë dy religjioneve tjera shqiptare. Ai nuk tha asgjë cila është kombëtarja tek shqiptarët e Shkupit aktual dhe cila është fetarja. Hirësia nuk tregoi përse nuk ka një vijë ndarëse tek shqiptarët në Maqedoni në mes të kombit dhe fesë, por vetëm gjeti shpëtim në një frazë. Përse vetëm në viset shqiptare në Maqedoni ka vend edhe për flamurin arab pranë atij kombëtar shqiptar? Cila është lidhja paralele në mes të këtyre dy flamujve? Cili interes nacional i shqiptarëve, pa dallim feje, krahine dhe ideje i lidhë këta dy flamuj? Cila paralele e historisë së sotme apo te shkuar i lidhë këta dy flamuj? Cila Rilindje kombëtare apo “zgjim nacional” i lidhë këta dy flamuj? Cila aleancë shpëtuese për kombin shqiptar i lidhë këta dy flamuj? “Shkëlqyeshëm dhe tmerrshëm” pra… Në vend se të thuhej shkëlqyeshëm dhe tmerrshëm, se këta flamuj nuk kanë vend në trojet shqiptare, “shkëlqyeshëm dhe tmerrshëm” sigurisht…

Po del se ne bijve të shqipes të mbushur me tërë këtë frymëzim “Evropë dhe Perëndim”, na duhet që sikur në periudhën e Enver Hoxhës të ringjallim nga varri i historisë Haxhi Qamilin dhe të na prijë nga fitorja në fitore. Për paradoksin dhe talljen tonë personaliteti me “ndikimin” më të madh në histori po na del portreti “egërshan” i Haxhi Qamilit, ndërsa Haxhi Qamili i gjorë me tërë padijen e tij orientale tallej me vlerat e kombit.

Përfundim…

Kemi nevojë sot më shumë se kurrë për zhvillim ekonomik, kulturor, emancipim politik në vlerat e perëndimit. Kemi nevojë që të na hapen portat e Bashkimit Evropian. Para se të na hapen këto porta kemi nevojë që këto shtete të zhvilluara ta ndihmojnë ringjalljen ekonomike të Kosovës dhe trojeve shqiptare. Në kontekst e falënderojmë Turqinë për tërë angazhimin e paraardhëses së saj, Perandorisë Osmane, në “mëshirën dhe dashurinë” që e ka shpërndarë për kombin shqiptar. E falënderojmë Turqinë paramoderne për marrëveshjen me shtetin jugosllav për të na dëbuar, zbrazur dhe asimiluar në shkretëtira të Anadollit. E falënderojmë Turqinë e sotme për kontributin që të na ndërrojë historinë nën strategjinë e shtrirjes se ndikimit të saj fetar dhe kulturor në Ballkanin Perëndimor. Shumë të faleminderit…!

Në fund e falënderojmë Turqinë se po na mbanë gjallë “zjarrin atdhetar”, po na integron në BE, edhe pse vet po pret tek porta kushedi sa vjet. Në fund e falënderojmë solemnisht Turqinë se po na i ndërron librat e historisë, që të mos na mësojnë fëmijët tanë shumë histori atdhetare; të mos i zë zjarrmia e atdheut dhe të mos i trishtojë Gjergj Kastrioti Skënderbeu në ëndërr atdhetare; të mos iu rëndohet koka, të mos luajnë nga mendtë… Thjesht, të mos tranohen nga librat e historisë së kombit të vet, sepse kujdeset shteti turk për librat e tyre. Shumë të faleminderit…!

Në trend

Më shumë
Dyshime se ndeshja mes Man United dhe Arsenalit ishte e kurdisur - tifozët vërshojnë me komente në rrjetet sociale

Dyshime se ndeshja mes Man United dhe Arsenalit ishte e kurdisur - tifozët vërshojnë me komente në rrjetet sociale

Premier League
Kosova nuk përfshihet në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës

Kosova nuk përfshihet në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës

Jehona Hulaj
Bayerni zyrtarizon largimin e dy futbollistëve pas katër viteve qëndrim në Allianz Arena

Bayerni zyrtarizon largimin e dy futbollistëve pas katër viteve qëndrim në Allianz Arena

Bundesliga
Pamje të tmerrshme, boksieri humb jetën pas goditjeve të marra në ring

Pamje të tmerrshme, boksieri humb jetën pas goditjeve të marra në ring

Boks
Data, vendi dhe ora: Gjithçka gati për duelin e parë më të madh të këtij shekulli, Tyson Fury - Oleksandr Usyk

Data, vendi dhe ora: Gjithçka gati për duelin e parë më të madh të këtij shekulli, Tyson Fury - Oleksandr Usyk

Boks
Alarmoi drejtori i Antikorrupsionit, deputeti Basha kërkon të hetohet rasti i politikanit që fshehu 5 milionë euro në bankën e Zvicrës

Alarmoi drejtori i Antikorrupsionit, deputeti Basha kërkon të hetohet rasti i politikanit që fshehu 5 milionë euro në bankën e Zvicrës

Lajme
Kalo në kategori