LAJMI I FUNDIT:

Zyrtari i Policisë plagosi dy persona me armë zjarri në Mramor të Prishtinës

Zyrtari i Policisë plagosi dy persona me armë zjarri në Mramor të Prishtinës

Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, dy persona janë plagosur në lagjen Suteskë të fshatit Mramor të komunës së Prishtinës.

Lajmin e ka bërë të ditur Agron Borovci, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prishtinës.


Ai ka thënë se të lënduarit janë dërguar për trajtim në QKUK.

“Rreth orës 15:30, është pranuar informacioni për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në lagjen Suteskë të fshatit Mramor të Prishtinës. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në të dhënat e para, janë ngritur dyshimet se dy persona, kanë marrë plagë nga arma zjarrit”, tha ai.

Borovci theksoi se hetuesit policorë kanë nisur një hetim për sqarimin e të gjitha rrethanave që karakterizojnë rastin.

Ndërkaq, Inspektorati Policor i Kosovës, ka njoftuar se personi që ka shtënë me armë zjarri është zyrtar policor.

“Ju njoftojmë se IPK sot ka pranuar një informate nga Policia e Kosovës se në Fshatin Mramor ka pasur një incident ku janë përfshirë edhe armët e zjarrit ku është i perfshirë edhe një zyrtar policor”, tha IPK.

Tutje theksohet se hetuesit konform madatit të IPK-së janë duke e hetuar këtë rast dhe do te ju njoftojmë me kohë lidhur me rrjedhën e ketyre hetimeve. /Telegrafi/