Duraku: Trajnerët e grupmoshave janë ‘demode’

Është gati t’i ndihmojë Kosovës, por vendet janë të zëna nga trajnerë ‘demode’ që nuk kanë përvoja ndërkombëtare. Kështu thotë trajneri i Trepçës ’89, Fahredin Duraku. Ai lëshon ‘bombën’ duke i konsideruar trajnerë ‘demode’ tre përzgjedhësit e përfaqësueseve të reja, Rafet Prekazin (U-21), Ramiz Krasniqin (U-19) dhe Besnik Kollarin (U-19). Sipas Durakut, ata nuk po arrijnë që të sjellin frymë evropiane te futbollistët e rinj.
“Përzgjedhësit e Përfaqësueseve të reja të Kosovës janë demode. Ata nuk po sjellin frymë të re në këto përfaqësuese. Ata nuk kanë përvoja ndërkombëtare dhe për këtë arsye nuk janë të gatshëm të sjellin mentalitet evropian te djelmoshat tanë”, deklaroi Duraku për gazetën Arena.
Ai shprehet tutje i gatshëm që t’i ndihmojë përfaqësueseve të reja, për të sjellë aty përvojën ndërkombëtare. “Unë jam i gatshëm që t’i ndihmoj futbollistëve të ri në Kosovë, por po injorohem. Federata e Futbollit të Kosovës e di këtë. Kam dëshirë që të angazhohem te ndonjëra përfaqësuese dhe të sjelli përvojën time ndërkombëtare”, thotë Duraku.
“Unë kam kontakte me trajnerë të huaj gjatë gjithë kohës. Kam qenë në seminare të ndryshme evropiane. Udhëtoj gjatë gjithë kohës dhe vërtetë mund t’i ndihmoj futbollit kosovar”, vazhdoi trajneri mitrovicas, që njihet për punën me lojtarët e rinj. /Telegrafi/



















































