LAJMI I FUNDIT:

“Dukagjini” gati për festën e librit në Tiranë

“Dukagjini” gati për festën e librit në Tiranë

Shtëpia botuese “Dukagjini” është gati për festën më të madhe të librit në kryeqytetin shqiptar. Në panairin e 25-të të librit në Tiranë, “Dukagjini” sjell një gamë të gjerë librash, për çdo tip lexuesi.

Nga seria e jashtëzakonshme e nobelistit Hermann Hesse, vijnë dy tituj të rinj: “Demiani” – me historinë e rinisë së Emil Sinkler-it dhe kërkimit të tij drejt vetvetes, si dhe “Nën rrotë” – me pikëpyetjen se si arrijnë sistemi edukativ dhe presioni shoqëror ta shkatërrojnë potencialin e individit. Këta u shtohen edhe dy librave të tjerë: “Ujku i stepës” dhe “Peter Camenzind”, nga shkrimtari,  poeti dhe piktori gjermano-zviceran që trandi botën me librat e tij e të cilat “Dukagjini” i ka botuar më parë.

Në Panairin “Tirana 2022” sjellim të plotë edhe kolanën e librave letrarë “Anima”. “Dukagjini” e sheh këtë kolanë si një ekskurs nëpër autorët dhe veprat më të njohura të letërsisë botërore, andaj, pa hezitim, ju fton që me “Anima”-n të bëni shëtitjen nëpër veprat e mirëfillta artistike letrare. “Sonata e Krojcerit” nga Lev Tolstoi; “Zhdukja e mistershme e markezes së re De Loria” nga José Donoso; “Ledi Makbeth nga guberna e Mcenskut” nga Nikolai Leskovi; “Mjegull” Miguel de Unamuno; “Shtrëngimi i vidhës” nga Henry James; “Shënimet e një të vdekuri” nga Mihail Bullgakov; “Maitreji” nga Mircea Eliade dhe “Varfanjaku i Zotit” i Nikos Kazanxaqis, të shqipëruara mjeshtërisht nga bashkëpunëtorët e “Dukagjini”-t vijnë ekskluzivisht në Panair.

Në shtandin e “Dukagjinit” vend të posaçëm gjejnë librat e filozofit Glauk Konjufca: “Ontologjia e Artit të Shtatë” dhe “Epistema e Dhomës së Zezë”. Konjufca, aktualisht kryetar i Kuvendit të Kosovës, do të gjejë një kohë për të bashkëbiseduar me lexuesit e tij në Tiranë, te shtandi i “Dukagjini”-t.

Në Panair promovohet edhe novela “Pranvera romane e zonjës Stoun”, ndërsa krahas saj janë edhe veprat shumë të dashura për lexuesin, si “Mëngjes në Tiffanny” nga Truman Capote, “Frida” nga Hayden Herrera, “Vepra e saj” nga Alketa Xhafa-Mripa dhe “Në banesën e mishtë” nga Valerio Magrelli. Libri mjaft i kërkuar “Një shqiptar në CIA” i Bashmir Xhemajt pritet të vazhdojë të ngjallë interesimin e lexuesit edhe në këtë edicion të ekspozitës mbarëshqiptare të librit. Shpëtim Selmani, që po ashtu do të jetë edhe fizikisht afër lexuesit të tij në Tiranë, prezantohet me librat e tij: “Libërthi i dashurisë” dhe “Balada e buburrecit”.

Në botimet “Lekë” do të ketë befasi të cilat do të shpalosen për lexuesin në ditët në vazhdim. Por “Dukagjini” pret që interesimi i madh për dy librat e psikologëve Daniel Siegel dhe Tina Payne, “Truri i fëmijës” dhe “Mindsight – Vëzhgimi i mendjes” të vazhdojë edhe në këtë edicion të Panairit në Tiranë. “Inteligjenca artificiale” nga Matt Burgess dhe “Pse s’ma ka thanë njeri më parë” nga Dr. Julie Smith do të jenë aty për lexuesin e pasionuar të teknologjisë dhe psikologjisë.

“Dukagjini” asnjëherë nuk lë anash lexuesit e vegjël. Edhe këtë edicion shtandi ynë do të jetë një hapësirë e mirë eksploruese e imagjinatës së të vegjëlve, me librat më të mirë për botën e tyre të çiltër. Rudyard Kipling u tregon fëmijëve se “Si u bënë kafshët siç janë sot”, libër të cilin “Dukagjini” e sjell në shqip ekskluzivisht në panairin e Tiranës. Pasurisë së “Dukagjini”-t i shtohet edhe libri “Shigjeta e kaltër” e Gianni Rodarit me aparaturë didaktike, e përshtatshme për lexim nga fëmijët e klasës së tretë. Nga autori shumë i dashur nga fëmijët, Gianni Rodari, gjenden edhe librat: “Agjenti X.99”, “Atalanta”, “Mes bankash”, “Planeti i pemëve të Krishtlindjeve” dhe “Punët e zotit maçok”.

Lektyrat shumë të dashura për fëmijët janë po ashtu pjesë e ekspozitës së “Dukagjini”-t. “Bletëzat” e Drenusha Zajmi Hoxhës, “Tregimi i lepurit Piter” nga Beatrix Potter, “Maçoku me çizme dhe përralla të tjera” nga Charles Perrault, “Përralla popullore mbi kafshët” nga Bedri Dedja dhe “Rrëfenja” nga vëllezërit Grim, presin të shpalosen nga 6-7-vjeçarët shqiptarë. Aty do të jenë edhe “Përralla e Postierit” nga Karel Čapek, “Përralla të zgjedhura” nga Hans Christian Andersen, “Shkolla e pyllit” nga Bedri Dedja, “Vjersha” nga Agim Deva, “Lepurushi prej pushi” nga Margery Villiams. Për të gjithë fëmijët sugjerohet  libri me 30 modele të ndryshme për të punuar para, gjatë dhe pas leximit të lektyrës, me titull “Si të lexojmë një lektyrë?”.

Për fëmijët e moshës 8-9 vjeçe gjeni librin më të ri “Tregimet e gjyshe Pastërtores” nga Bedri Dedja, për pak më të mëdhenj “Gres” nga Gresa Rugova & Bardh Rugova e të tjerë. Aty janë po ashtu edhe librat që i ftojnë fëmijët të angazhohen, si “Eja t’i zgjidhim problemat”, “Bota e kafshëve” dhe “Ditët e shkronjave”.

Panairi i librit “Tirana 2022” mbahet mes datave 16 dhe 20 nëntor, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Edicioni i 25-të i panairit mbahet me moton “të gjithë jemi lexues”. Nën organizimin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, ky është panairi më i madh i organizuar në hapësirën shqipfolëse.

Shtëpia botuese “Dukagjini” ju fton që të ndaleni te shtandi i saj dhe të bashkëbisedoni me ekipin që do të jetë i gatshëm për të dhënë sqarimet e nevojshme për librat që ju dëshironi t’i keni.

Artikull i sponzorizuar