LAJMI I FUNDIT:

Duka: De Biasi vështirë t’i zgjedh 23 për në Francë

Duka: De Biasi vështirë t’i zgjedh 23 për në Francë

Përgatitjet drejt Euro 2016 janë një sfidë më vete. Jo vetëm miqësoret që shërbejnë si përgatitje, apo përfaqësimi sa më i mirë në Francë.

Por, duke nisur nga seleksionimi i 23 futbollistëve për finalet e evenimentit. Këtë e pranon edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, që thekson se trajneri De Biasi ka detyrën më të vështirë.


“Lista përfundimtare i takon De Biasit dhe asnjë nuk do të donte të ishte në vendin e tij. Asnjë futbollisti nuk do t’i hiqet merita për kontributin që ka dhënë për kombëtaren, por në Francë do të shkojnë vetëm 23 lojtarë. Dikush duhet ta marrë vendimin dhe kjo i takon De Biasit”.

Kreu i FSHF-së foli edhe për testet miqësore, të shtunën me Austrinë dhe më 29 Mars kundër Luksemburgut.

“Kundërshtarët tanë janë të fortë, por edhe ne nuk jemi keq, jemi të fortë. Besoj se ndeshjet do të jenë të bukura dhe shpresoj që tifozët të kënaqen. Këto sfida do t’i shërbejnë trajnerit dhe stafit teknik të kuptojnë më mirë ekipin”.

Në fund edhe një vlerësim për fanellat e reja të prezantuara për publikun, por edhe një thirrje që tifozët të qëndrojnë larg uniformave të fallsifikuara.

“Ekipi ka qenë pjesë e dizajnimit dhe tifozët e kanë pëlqyer shumë fanellën. Shpresojmë që kjo fanellë të na sjellë fat në Evropianin Francë 2016. E kemi mbrojtur shumë këtë markë dhe nuk dua të ketë falsifikime të kësaj fanelle. Për ne është një rast unik dhe kjo fanellë do të jetë vetë për Evropianin dhe çdo shqiptar duhet ta ketë si kujtim”, ka thënë duka.