“Dua ta provoj” – Biznesmeni që po shfaqet si një sfidues i mundshëm i Florentino Perezit te Real Madridi

Biznesmeni Enrique Riquelme është rikthyer sërish në qendër të diskutimeve për të ardhmen e presidencës së Real Madridit, pasi u përmend publikisht nga presidenti aktual i klubit, Florentino Perez.
Florentino Perez iu referua fillimisht Riquelmes si “ai njeriu me theks të Amerikës së Jugut”, përpara se të sqaronte më vonë se bëhej fjalë për një “meksikan”, duke ringjallur interesin për të vetmin person që në vitet e fundit ka lënë të kuptohet hapur se mund të garojë kundër tij.
Riquelme, 37 vjeç, kishte sinjalizuar për herë të parë një kandidaturë të mundshme gjatë zgjedhjeve presidenciale të Real Madridit në vitin 2021, por në fund vendosi të mos hynte në garë.

“Qoftë tani apo në të ardhmen, dua të provoj”, deklaronte më herët Riquelme për El Confidencial.
“Shoh mundësinë për të aplikuar gjithçka që kam mësuar dhe për të punuar me një bord drejtues shumë profesional, jo me një grup miqsh, për ta çuar klubin në një tjetër nivel”.
Ai shtoi gjithashtu se klubi ka nevojë për një drejtim më modern dhe më professional.
“Për momentin, ose klubi ndryshon drejtim dhe profesionalizon maksimalisht menaxhimin, duke u bërë realisht një klub global, ose do të ketë probleme. Dhe të jesh global nuk do të thotë vetëm të bësh ture në Shtetet e Bashkuara”.
I lindur në Cox të Alicantes, Riquelme raportohet se është anëtar i Real Madridit prej më shumë se 20 vitesh, çka e bën të ligjshëm për të kandiduar për president të klubit.
Ai vjen gjithashtu nga një familje me lidhje historike me klubin, pasi babai i tij ka qenë pjesë e bordit drejtues gjatë presidencës së Ramon Calderon.
Aktualisht, Riquelme jeton në Meksikë dhe është kryetar i Cox Energy Group, një prej kompanive të njohura në sektorin e energjisë së rinovueshme.
Kompania operon në Evropë, Amerikën Latine, Shtetet e Bashkuara dhe Lindjen e Mesme.
Sipas raportimeve të AS, fuqia financiare e biznesmenit do t’i mundësonte atij të siguronte garancinë prej 187 milionë eurosh, e nevojshme për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të Real Madridit. /Telegrafi/





















































