Fansat e kanë vlerësuar shumë këngëtaren shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, për publikimin falas në YouTube të filmit të saj nga turneu Radical Optimism.

Komentet pozitive kanë qenë të shumta, ku ndjekësit e kanë përgëzuar këtë gjest të artistes, duke e konsideruar një mënyrë të veçantë të kujdesit ndaj fansave në mbarë botën.


Dua Lipa publikoi së fundmi filmin që dokumenton një nga koncertet e turneut të saj Radical Optimism. Për xhirimet, ajo kishte zgjedhur Meksikën, një vend i njohur për publikun e tij të zjarrtë dhe energjik.

Publikimi erdhi si një surprizë, pasi artistja nuk e kishte paralajmëruar më herët këtë projekt. Në shumicën e rasteve, artistët e tjerë i shfaqin fillimisht filma të tillë në kinema, përpara se t’i publikojnë në platforma me pagesë.


Ndryshe nga kjo praktikë, publikimi në YouTube e bën filmin të qasshëm për të gjithë fansat anembanë botës, pa nevojën e abonimeve apo pagesave shtesë.

Përveç këtij projekti, Dua Lipa pritet të publikojë edhe një album me këngë të interpretuara live nga turneu i saj.