Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa dhe aktori Callum Turner raportohet se po përgatiten të kurorëzojnë lidhjen e tyre me martesë në Palermo të Italisë.

Artistja 30-vjeçare, e cila e konfirmoi fejesën me Callum-in 36-vjeçar në qershor të vitit të kaluar, thuhet se po planifikon ta mbajë ceremoninë në shtator, konkretisht në datat 5 deri më 7 shtator, në një event që pritet të zgjasë dy ditë dhe të jetë mjaft madhështor, shkruan DailyMail.


Sipas gazetës italiane Giornale di Sicilia, një organizator dasmash ka qenë prej kohësh në Palermo duke punuar për përgatitjet e spektaklit.

Ndërkohë, publikimi La Repubblica shkruan se pritet të ketë një numër të madh avionësh privatë që do të sjellin të ftuarit e famshëm në këtë ngjarje, e cila po quhet tashmë “dasmë e vitit”.

Kur e bëri publike fejesën, Dua Lipa foli për British Vogue, duke u shprehur e lumtur: “Po, jemi të fejuar. Është shumë emocionuese… Ky vendim për të plakur bashkë, për të parë një jetë përpara dhe, nuk e di, për të qenë shokët më të mirë përgjithmonë - është një ndjenjë vërtet e veçantë”.

Sipas raportimeve, përfaqësuesit e Duas janë kontaktuar për koment, por ende nuk ka një reagim zyrtar.

Lajmi për propozimin romantik të çiftit doli në vitin 2024, dhe këngëtarja është parë shpesh me një unazë diamanti tërheqëse në gisht.

Duke folur më herët për planet e dasmës, Dua ka thënë se do të donte ta përfundonte turneun e saj dhe Callum të mbyllte xhirimet e projekteve të tij përpara se të bëjnë hapin e madh. Ajo ka pranuar se, edhe pse dasma nuk ka qenë në qendër të mendimeve për shkak të angazhimeve të shumta, ka nisur të mendojë për veshjen.

Foto: Dua Lipa/Instagram

“Dua ta mbaroj turneun tim, Callum xhirimet, kështu që po e shijojmë këtë periudhë… Nuk kam qenë kurrë tip që ka menduar shumë për një dasmë, ose ka ëndërruar se çfarë nuseje do të isha. Papritur, jam si: ‘Oh, çfarë do të vishja?’”, është shprehur ajo.

Dua Lipa ka thënë gjithashtu se është “e fiksuar” pas unazës së fejesës, duke shtuar se është ndjesi e bukur kur personi me të cilin do të kalosh jetën “të njeh shumë mirë”.

Çifti u lidh për herë të parë me thashetheme në janar 2024, ndërsa raportohet se janë fejuar gjatë Krishtlindjeve të vitit 2024.

Foto: Dua Lipa/Instagram

Në intervistë, këngëtarja foli edhe për dëshirën që një ditë të ketë familje dhe fëmijë, por pranoi se e ka të vështirë ta gjejë “kohën e duhur” për shkak të kërkesave të karrierës së saj në muzikë.

“Do të doja të kisha fëmijë një ditë. Por pyetja është gjithmonë: kur do të ishte ndonjëherë koha e duhur – si do të përshtatej me punën time, si do të funksiononte nëse do të isha në turne dhe sa kohë do të më duhej të ndërprisja?”, ka thënë ajo. /Telegrafi/