Haxhiu pas takimit me Costan: Kosova mbetet pro-evropiane

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se ka pritur në takim Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, ku është diskutuar për procesin e integrimit evropian dhe zhvillimet aktuale në vend.
“Sot prita në takim Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa,” ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është orientim strategjik dhe vullnet i qytetarëve.
“Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është interes strategjik shtetëror dhe zgjedhje demokratike e qytetarëve tanë,” ka thënë ajo.
Haxhiu ka bërë të ditur se në takim është diskutuar agjenda evropiane, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, reformat dhe stabiliteti rajonal.
“Diskutuam për agjendën evropiane të Kosovës, Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, reformat, stabilitetin rajonal dhe rëndësinë e konsensusit kombëtar për çështjet që lidhen me Bashkimin Evropian,” ka deklaruar ajo.
Ajo ka theksuar gjithashtu orientimin pro-evropian të qytetarëve të Kosovës.
“Kosova mbetet një nga shoqëritë më proevropiane në rajon. Ky orientim i qartë i qytetarëve tanë është forcë për vendin dhe bazë e sigurt për rrugën tonë evropiane,” ka thënë Haxhiu.
Presidenti Costa theksoi se çështjet që lidhen me integrimin në Bashkimin Evropian dhe zbatimin e Planit të Rritjes kërkojnë pajtim ndërpartiak dhe konsensus kombëtar në Kosovë, përtej dallimeve politike dhe partiake.
"Në këtë frymë, u.d. Presidentja Haxhiu theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për ta çuar përpara agjendën evropiane përmes reformave, koordinimit institucional dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian. Ajo shtoi se Kosova ka dëshmuar përkushtim ndaj demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe bashkëpunimit me Bashkimin Evropian", thuhet në njoftimin e Presidencës.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajon, për rëndësinë e sigurisë dhe stabilitetit, si dhe për nevojën që perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor të shoqërohet me hapa konkretë, të drejtë dhe të barabartë për të gjitha vendet që zbatojnë reformat dhe respektojnë vlerat evropiane.
Haxhiu ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për marrëdhënie të ngushta me Bashkimin Evropian dhe për një proces integrues që vlerëson meritat, përmbushjen e kritereve dhe përparimin e Kosovës./Telegrafi/










































