Gjatë podcastit, “Shëndeti në rend të parë” i përkrahur nga United Hospital, fizioterapisti Blend Bytyqi foli për dhimbjet e përditshme dhe rastet kur ato nuk duhet të trajtohen menjëherë me fizioterapi, por kërkojnë fillimisht kontroll specialistik.

Duke iu përgjigjur pyetjes se cilat janë simptomat që duhet të merren seriozisht, Bytyqi tha se ka disa shenja të cilat nuk duhet të neglizhohen nga pacientët, sidomos kur bëhet fjalë për persona me histori të mëparshme të sëmundjeve serioze.


“Nëse ke pasë histori të mëhershme të kancerit, mos hajde direkt te fizioterapeuti nëse ke dhimbje, por bëje një kontroll specialistik te mjeku”, tha ai.



Sipas tij, në këto raste pacienti duhet të kontrollohet nga mjeku që e përcjell gjendjen apo nga një specialist përkatës, para se të nisë çdo formë trajtimi fizioterapeutik.

Bytyqi përmendi edhe dhimbjen gjatë natës si një nga shenjat që kërkon kujdes më të madh. Ai tha se dhimbjet që shfaqen apo përkeqësohen natën nuk janë gjithmonë shenjë e mirë dhe duhet të vlerësohen me kujdes.

“Nëse ki dhimbje natën, këto nuk janë prej shenjave të mira”, u shpreh fizioterapisti.

Ai shtoi se ndër simptomat më serioze janë edhe humbja e kontrollit urinar apo të defekimit, si dhe humbja e forcës në trup.

“Humbja e kontrollit urinar apo defekimit, humbja e forcës, këto janë shenja që absolut nuk është linja e parë fizioterapia”, theksoi Bytyqi.

Në këto raste, sipas tij, pacienti ka nevojë për ekzaminim të saktë dhe, varësisht nga gjendja, për rezonancë magnetike apo kontrolle të tjera specialistike.

“Në këto raste e shpëton pacientin specialisti, rezonanca magnetike, ekzaminime tjera. Nëse gjithçka del në rregull, vetëm atëherë fillohet trajtimi me fizioterapi”, tha ai.

Megjithatë, Bytyqi sqaroi se jo çdo dhimbje kërkon menjëherë alarm. Dhimbjet më të zakonshme të qafës, shpinës apo krahut mund të jenë raste ku fizioterapia ka rol të rëndësishëm, por gjithmonë pas një ekzaminimi klinik.

“Shenjat më bazike janë dhimbja e qafës, dhimbja e shpinës, dhimbja e krahut që nuk përhapet, veç nuk është ndjesi djegie, pickimi”, tha ai.

Për më shumë shikoni podcastin e plotë të "Shëndeti në rend të parë":


- YouTube www.youtube.com