Dron i dyshimtë, momenti kur kryeministri lituanez strehohet në bunker

Autoritetet në Lituani aktivizuan alarmin e sigurisë pasi një dron i dyshimtë u raportua duke iu afruar hapësirës ajrore të vendit nga drejtimi i Bjellorusisë.
Situata shkaktoi reagim të menjëhershëm të institucioneve shtetërore dhe forcave të sigurisë, ndërsa udhëheqësit më të lartë të shtetit u evakuuan në strehimore të posaçme.
Sipas mediave lokale, presidenti i Lituanisë, kryeministri dhe kryetari i parlamentit - Seimasit - u dërguan me urgjencë në bunkerë për arsye sigurie. Në të njëjtën kohë, edhe deputetët që ndodheshin në ndërtesën e parlamentit u strehuan deri në vlerësimin e plotë të situatës nga autoritetet ushtarake dhe të inteligjencës.
Ushtria lituaneze u dërgoi një mesazh banorëve të Vilniusit: Lëvizni menjëherë në një vend të sigurt

Pamje të publikuara në rrjetet sociale dhe në mediat vendase treguan momente nga shkollat dhe institucionet publike gjatë alarmit, ku nxënësit dhe stafi u udhëzuan të qëndronin në hapësira të sigurta.
Gjendja krijoi tension të madh në kryeqytetin Vilnius, ndërsa aeroporti i qytetit pezulloi përkohësisht operimet si masë paraprake.
Pas verifikimeve të kryera nga strukturat e mbrojtjes ajrore, alarmi u hoq dhe autoritetet njoftuan se situata është kthyer nën kontroll.
Aeroporti i Vilniusit rifilloi punën normale, ndërsa institucionet shtetërore vazhduan aktivitetin e zakonshëm. Ende nuk janë bërë publike detaje të plota mbi origjinën dhe qëllimin e dronit që shkaktoi alarmin. /Telegrafi/












































