Drita shpërbën kryesinë

Stinori vjeshtor po vlerësohet të ketë qenë shumë zhgënjyes për Dritën jo vetëm në aspektin e rezultateve, por edhe në menaxhimin e klubit. Futbollistët nuk i kanë marrë dy pagat e fundit dhe janë të revoltuar. Ata kishin premtime nga kryetari i klubit, Selver Xhelili se deri më 5 dhjetor do ta marrin së paku njërën pagë, por kjo nuk ka ndodhur.
Duke parë gjendjen që nuk kishte mundësi përmirësimi, kryetari i Bordit i klubit, Besim Ismaili kërkoi shpërbërjen e kryesisë. “Kam kërkuar shpërbërjen e kryesisë dhe kam thirrur Kuvendin Zgjedhor të jashtëzakonshëm të klubit, i cili u mbështet nga të gjithë anëtarët e Bordit. Duhen reforma, pasi koha po ikën. Të gjitha klubet kanë filluar të lëvizin, duhet zëvendësimi i disa personave që mbajnë pozita dhe nuk janë aktivë. Kjo është përgjegjësi e imja dhe e Bordit”, deklaroi Ismaili për gazetën SportPlus.
Ai ka ftuar ish-sportistët, përfaqësuesit e bizneseve, nga një përfaqësues të subjekteve politike që udhëheqin me komisionet e sportit, diasporën dhe gjithë të interesuarit, që më 14 dhjetor nga ora 14:00 në restorant ‘Ish Bezi’ të marrin pjesë për zgjedhjen e strukturës së re. Ndryshe, Bordi vlerëson të mirë vizitën e disa zyrtarëve të klubit në Bursaspor, derisa pret mbështetje nga komuna në fusha tjera. Drita para një viti ka nënshkruar një protokoll bashkëpunimi me klubin e Bursasporit. Po ashtu, Bordi ka vlerësuar lart periudhën sa klubi është drejtuar nga Islam Rashiti. /Telegrafi/






















































