Gjilanasit janë ndër ekipet më aktive gjatë afatit kalimtar të verës, duke transferuar emra të mëdhenj të futbollit kosovar si Qëndrim Sejdiu e Ismet Caka.

Së fundmi Drita ka arritur marrëveshje edhe me futbollistin kampion të Kosovës, Xhevdet Shabani, i cili rikthehet në Gjilan pas dy viteve që u largua nga bardh e kaltërtit.


Burime të Telegrafit, thonë se mesfushori Xhevdet Shabani, i njohur ndryshe si ‘Rrapa’, do të firmosë brenda dy ditëve të ardhshme me Dritës.

Shabani është një lojtar që adhurohet shumë në qytetin e Gjilanit, dhe tifozët e flaktë të Dritës, ‘Intelektualët’, rikthimin e tij në stadiumin ‘Selami Osmani – Bezi’, e presin me padurim.

Ish-anëtari i Teutës së Durrësit dhe Ferronikelit pritet të nënshkruajë kontratë një vjeçare me Dritën.

Pas këtij transferimi dhe të tjerëve që i ka bërë më parë, Drita shpall kandidaturën për titullin e kampionit, pasi fondi i pasur i futbollistëve bënë që tifozët bardh e kaltër të kërkojnë trofe nga skuadra. /Telegrafi/

telegrafi sport app