ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Drita është eliminuar në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, pasi u mposht me rezultat 3-2 nga Kauno Zalgiris në ndeshjen e kthimit, me golin vendimtar që u shënua nga penalltia në minutën e katërt shtesë.

Gjilanasit kishin marr një barazim 1-1 në ndeshjen e parë, ndërsa ishin afër kalimit tutje deri në minutat e fundit.


Skuadra lituaneze kaloi e para në epërsi në minutën e 9-të, kur Vykintas Slivka realizoi një gol të bukur nga skaji i zonës për 1-0.


Drita reagoi shpejt dhe barazoi në minutën e 20-të. Liridon Balaj asistoi për Igball Jasharin, i cili shënoi nga afërsia për 1-1. Goli u verifikua për disa minuta nga VAR-i, por në fund u konfirmua.


Në pjesën e dytë, kampionia e Kosovës përmbysi rezultatin. Pas një goditjeje nga këndi të Balajt, Arb Manaj u gjend më së miri në zonë dhe realizoi për 2-1 në minutën e 53-të.


Megjithatë, vendasit nuk u dorëzuan. Në minutën e 82-të, Vykintas Slivka shënoi golin e tij të dytë të mbrëmjes me një goditje të saktë me kokë, duke barazuar rezultatin në 2-2.


Në minutat e fundit, Drita vuajti presion të madh, ndërsa portieri Faton Maloku bëri disa pritje vendimtare për ta mbajtur skuadrën në lojë.

Drama kulmoi në kohën shtesë. Në minutën e 91-të, gjyqtari fillimisht refuzoi kërkesat e Kauno Zalgirisit për penallti, pasi gjykoi se Vesel Limaj nuk kishte prekur topin me dorë. Megjithatë, pas një rishikimi të gjatë nga VAR-i, ai ndryshoi vendimin dhe akordoi penallti.

Nga pika e bardhë, Amine Benchaib u tregua i saktë në minutën e 94-t, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm të portës për rezultatin përfundimtar 3-2.


Me këtë humbje, Drita i jep fund aventurës në Ligën e Kampionëve që në raundin e parë kualifikues, ndërsa garat i vazhdon edhe tutje në Evropë. /Telegrafi/

telegrafi sport app