“Do t’u qëndroj besnike parimeve” – Deputetja e LDK-së tregon pse është kundër LVV-së


Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Janina Ymeri, ka deklaruar se qëndrimi i saj kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit të saj, Albin Kurti, lidhet me, siç ka thënë ajo, qasjen e Kurtit ndaj LDK-së, ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe institucioneve të Kosovës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ymeri ka publikuar edhe një video, për të cilën ka thënë se është “një ndër provat” e qëndrimeve të Kurtit ndër vite.
“Qëndrimi im kundër VV-së buron nga armiqësia e Albin Kurtit ndaj LDK-së dhe Ibrahim Rugovës, si dhe ndaj institucioneve të Kosovës. Kjo video është një ndër provat”, ka shkruar Ymeri.
Ajo ka kritikuar qasjen politike të Kurtit, duke pretenduar se ai ka kërkuar “nënshtrim e poshtërim e jo bashkëpunim”.
Ymeri ka thënë se Vetëvendosja i ka numrat për formimin e Qeverisë dhe mundësinë për t’i dhënë vendit një president, por ka shtuar se ajo do të vazhdojë t’u qëndrojë besnike parimeve për të cilat është votuar nga qytetarët.
“Vetëvendosja ka numrat për të bërë Qeverinë dhe mundësinë që t’i japë vendit një President të denjë. Në çdo rast, unë do ju qëndroj besnik parimeve për të cilat jam votuar nga qytetarët”, ka deklaruar ajo./Telegrafi/




































