Do të kemi Zonjë apo Zotëri të Parë të Prishtinës? Njihuni me partnerët e pesë kandidatëve për kryetar të kryeqytetit

Ndërsa garuesit për Komunën e Prishtinës po zhvillojnë betejën e tyre politike në prag të zgjedhjeve lokale të së dielës, një vëmendje e veçantë po bie edhe mbi partnerët e tyre – njerëzit që qëndrojnë pranë tyre në çdo hap, shpesh duke i mbështetur në heshtje, por me ndikim të dukshëm në imazhin dhe energjinë e tyre publike.
Kush janë ata që mund të bëhen “Zonja e Parë” apo “Zotëriu i Parë” i Prishtinës?
Telegrafi sjell një përmbledhje të shkurtër për secilin prej tyre.
Kristale Ivezaj Rama - bashkëshortja e kryetarit aktual, Përparim Rama (LDK)

E lindur dhe rritur në SHBA me rrënjë shqiptare, Kristale Ivezaj Rama është një emër i lidhur ngushtë me artin, kreativitetin dhe aktivizmin kulturor. Ajo është themeluese e The Balkan Artists' Guild dhe e platformës Even Walls Have Ears, që promovon artistët e Ballkanit dhe krijon ura kulturore nëpërmjet ekspozitave e projekteve ndërkombëtare, sipas të dhënave që gjenden në llogarinë e saj në platformën LinkedIn.
Përveç këtyre iniciativave, Kristalja është gjithashtu iniciatorja dhe udhëheqësja e projektit “Biblioteka e Fëmijëve Prishtina”, një iniciativë për të rinovuar sa më shumë hapësira leximi për fëmijët. Si vullnetare, ajo ka mbledhur mbi 150,000 euro për organizata joqeveritare dhe bamirësi kosovare, duke synuar që këto organizata të fitojnë maksimumin e dukshmërisë dhe mbështetjes publike. Për tre vitet e fundit, ajo ka kryer këtë punë vullnetare pa pagesë dhe planifikon ta vazhdojë kështu, duke vendosur interesin e komunitetit mbi çdo gjë tjetër.
Në një intervistë për Telegrafin në maj të vitit 2024, Kristale pati theksuar ndjenjën e saj të fortë të përkatësisë ndaj kryeqytetit:
“E shoh Prishtinën si një familje të madhe. Si familjen time. Edhe pse nuk jam një zyrtare e zgjedhur, jam e martuar me dhe mbështes personin që mban postin më të lartë në zyrën publike të qytetit, çka më jep një aleancë me publikun. Si banore e Prishtinës, ndjehem gjithashtu pjesë e këtij komuniteti. Ndihem e detyruar të pasuroj qytetin ku jetoj, veçanërisht për fëmijët tanë dhe anëtarët më të cenueshëm të komunitetit”.

Çifti Rama kanë tre fëmijë – Arra, Tigri dhe Broni, dhe njihen për lidhjen e tyre të fortë familjare dhe për stilin e jetës që shpesh ndërthur artin, arkitekturën dhe humanizmin.
Elmaze “Eli” Gashi - bashkëshortja e Hajrulla Çekut (Lëvizja Vetëvendosje)

Për ndryshe nga bashkëshorti i saj, ministri dhe kandidati për kryetar të Prishtinës Hajrulla Çeku, Eli Gashi është një figurë më e rezervuar në publik. Megjithatë, në fushën profesionale ajo ka një profil mbresëlënës.
Sipas profilit të saj në LinkedIn, ajo është përfaqësuese e Universitetit të Iowa-s në Kosovë, me mbi një dekadë përvojë në reforma arsimore, zhvillim institucional dhe menaxhim të projekteve të financuara nga donatorë ndërkombëtarë. Eli ka udhëhequr një projekt me vlerë 3.9 milionë dollarë të financuar nga USAID, që synonte transformimin e arsimit të lartë në Kosovë përmes lidhjes me sektorin privat.

Me gjithë sukseset e saj profesionale, ajo zgjedh të qëndrojë larg vëmendjes mediatike dhe të përqendrohet në familje.
Çifti Çeku janë prindër të dy vajzave, dhe mbajnë një balancë të kujdesshme mes karrierës dhe jetës familjare, duke e mbështetur njëri-tjetrin në sfidat publike dhe private.
Arizona Bërdynaj - bashkëshortja e Uran Ismailit (PDK)

Energjike dhe moderne, Arizona Bërdynaj është një profesioniste që kombinon përvojën në sektorin publik me atë në teknologji. Sipas të dhënave që figurojnë në profilin e saj në LinkedIn, aktualisht punon si eksperte i strategjisë së shitjeve në industrinë e Tech & Telecom, me eksperiencë të gjatë në menaxhim, inovacion dhe transformim digjital.
Në të kaluarën, ajo ka shërbyer edhe si Shefe e Kabinetit në Ministrinë e Drejtësisë, duke u bërë një nga gratë e reja që kanë ndërtuar karrierë të qëndrueshme në administratë para se të kalonte në sektorin privat.

Arizona është mjaft aktive në rrjetet sociale, ku shpesh ndan momente nga jeta e saj sportive - veçanërisht nga maratonat e vrapimit, që i ka kthyer në pasion personal.
Së bashku me Uranin, ata janë prindër të dy fëmijëve, Omerit dhe Umës.
Besa Shatri Berisha - bashkëshortja e Bekë Berishës (AAK)

Diskrete dhe e përkushtuar në profesionin e saj, Besa Shatri – Berisha është një eksperte e financave me mbi 15 vite përvojë në menaxhim ekonomik, auditim dhe administrim financiar.
Ajo mban postin e Drejtoreshë e Financave në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe njëkohësisht është Këshilltare Financiare në Qendrën për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, ku kontribuon që nga viti 2013, sipas profilit të saj në LinkedIn.

Në rrjetet sociale, Besa shfaqet rrallë, duke ruajtur profil të ulët publik, por brenda rrethit profesional njihet për qetësinë, përpikmërinë dhe integritetin e saj.
Çifti Bersha janë prindër të dy fëmijëve - Troi dhe Erta, dhe njihet për ekuilibrin mes familjes, privatësisë dhe angazhimit profesional.
Dardan Molliqaj – bashkëshorti i Besa Shahinit (PSD)

Në mesin e kandidatëve për Prishtinën, Besa Shahini është e vetmja grua në garë – dhe në anën e saj qëndron një emër i njohur i politikës kosovare, Dardan Molliqaj.
Molliqaj ka qenë deputet për disa legjislatura dhe ish-anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, përpara se të themelonte Partinë Socialdemokrate, të cilën e udhëheq aktualisht. Ai dhe Besa u martuan në prill të vitit 2019, duke krijuar një nga çiftet më të diskutuar në skenën publike.

Në vitin 2022, çifti u bënë prindër të një vajze të quajtur Ana, ndërsa në daljet e tyre publike shfaqen gjithmonë si partnerë të barabartë, që ndajnë jo vetëm jetë bashkëshortore, por edhe bindje të përbashkëta për vizionin politik e shoqëror të Kosovës.

Pavarësisht rezultateve që do të sjellin kutitë e votimit të dielën, është e qartë se gara për Prishtinën këtë vit nuk është vetëm për udhëheqjen e kryeqytetit, por edhe për figurat që qëndrojnë pas kandidatëve. Partnerët e tyre, secili me historinë dhe karrierën e vet të veçantë, i japin një dimension më njerëzor e të përditshëm betejës politike – duke treguar se prapa çdo lideri qëndron një histori dashurie, përkushtimi dhe bashkëpunimi. /Telegrafi/



















































