Një dizajner i Mercedesit ka ngritur shqetësimin se “askush nuk po blen më” veturat e tipit wagon (karavan), duke sugjeruar se kërkesa për këtë lloj veture po bie ndjeshëm.

Sipas tij, edhe pse dizajnerët dhe gazetarët e veturave i pëlqejnë shumë wagonët, realiteti i tregut është ndryshe. Ai thotë se konsumatorët në SHBA nuk i blejnë fare, në Kinë nuk kuptohen dhe nuk kanë kërkesë, ndërsa në Evropë çmimet e larta kufizojnë blerësit e mundshëm.


Mercedes ka provuar më herët edhe versione të tilla si CLS Shooting Brake, por pa sukses të madh në shitje. Për këtë arsye, kompania po heziton të zhvillojë një version wagon për modelin e ri elektrik C-Class.

Dizajneri pranon se personalisht i pëlqejnë wagon-ët, por thekson se vendimet merren mbi bazën e shitjeve dhe jo preferencave. Sipas tij, kompanitë po orientohen më shumë drejt SUV-ve, të cilat kanë kërkesë shumë më të lartë në treg.

Në përgjithësi, trendi i industrisë automobilistike po e vështirëson mbijetesën e këtij lloji karrocerie, pavarësisht se ende ka fansa të shumtë. /Telegrafi/