LAJMI I FUNDIT:

Disa nga detajet e Ligjit gjerman për Fuqinë Punëtore të Kualifikuar i cili hyri në fuqi më 1 mars

Nga 1 marsi në Gjermani ka hyrë në fuqi Ligji për Fuqinë Punëtore të Kualifikuar, i cili rregullon në detaje ardhjen e tyre nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.

Sipas Ligjit, për herë të parë mund të shkosh në Gjermani edhe me një vizë gjashtëmujore për të kërkuar punë duke i mbuluar personalisht shpenzimet për këtë periudhë, përcjell Telegrafi.


Si fuqi punëtore e kualifikuar nuk konsiderohen më vetëm njerëzit që kanë përfunduar universitetin, por edhe ata me shkollim profesional, që ka zgjatur të paktën dy vjet dhe është i krahasueshëm me shkollimin gjerman.

Parimisht çdo fuqi punëtore nga një vend i tretë, që ka një kontratë pune në Gjermani dhe provon, se e ka kualifikimin profesional për këtë, mund të vijë të punojë në Gjermani.

Punëtorët ndihmës apo punëtorët për punë, ku nuk nevojitet një shkollim i caktuar nuk përfshihen në këtë ligj. Por megjithatë ekziston mundësia, që kush ka një kualifikim fillestar dhe një kontratë pune, mund të vazhdojë kualifikimet shtesë në Gjermani.

Kush ka një kontratë pune apo një ofertë konkrete të vërtetuar pune, mund të marrë një vizë pune për katër vjet ose për sa kohë nënshkruhet kontrata. Pas katër vitesh qëndrimi, forcat punëtore mund të kërkojnë vizë për qëndrim më afatgjatë, nëse plotësohen kushtet. Po ashtu ligji i ri ta mundëson ardhjen në Gjermani për gjashtë muaj, kush kërkon një punë, pra pa pasur ende kontratë. Kusht është që të mbulosh vetë shpenzimet e jetesës dhe të kesh nivelin e gjermanishtes B2.

Për profesionet, ku ka mungesa të theksuara të fuqisë punëtore, do të ulen më tej barrierat për punonjësit e huaj. Për shembull një mjek, një infermier i shkolluar, i cili ka të paktën 5 vite punë, nuk ka nevojë për njohjen formale të kualifikimit.

Ambasada gjermane në Prishtinë tregon detajet si duhet të aplikoni për vizë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Punëtorët e Kualifikuar
Lexo po ashtu Ambasada gjermane në Prishtinë tregon detajet si duhet të aplikoni për vizë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Punëtorët e Kualifikuar

Në fund, parimisht është e mundur që të merret partnerja apo partneri dhe fëmijët në Gjermani. Megjithatë duhet që punëmarrësi të tregojë, se e ka të mundur të sigurojë jetesën për ta dhe ka hapësirë të mjaftueshme banimi. /Telegrafi/