LAJMI I FUNDIT:

Diaspora shqiptare në Hagë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Diaspora shqiptare në Hagë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Milaim Gashi ka ardhur nga Freiburgu i Gjermanisë për të mbështetur ish-krerët e UÇK-së gjykimi ndaj të cilëve fillon sot në Hagë.

Ai thotë se ndaj tyre po bëhet padrejtësi dhe ata meritojnë mbështetje.


“Ne jemi këtu me shpall pakënaqësi ndaj gjykatës se Hagës, është një padrejtësi e madhe që po u bëhet krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thotë ai.

Ai po qëndron para ndërtesës së Gjykatës Speciale ndërsa më vonë do t’i bashkohet protestës së shqiptarëve të diasporës.

“Do të solidarizohemi deri në fund”, shton ai.

Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Në paraqitjet e tyre para gjykatësit të procedurës paraprake ata janë deklaruar të pafajshëm.

Ndërsa në mbështetje të tyre, në prag të fillimit të gjykimit, në Prishtinë është mbajtur një marsh.

Ndërkaq sot në Hagë, në afërsi të objektit të Gjykatës Speciale, shqiptarë të diasporës do të mblidhen në një protestë paqësore për të treguar mbështetjen e tyre për të akuzuarit si dhe luftën e UÇK-së.