Një operacion i gjerë antidrogë është realizuar dje në Ferizaj nga Departamenti i Hetimeve, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Në raportin 24 orësh policia ka dhënë detaje tjera shtesë rreth këtij operacioni, ku fillimisht mbrëmë u tha se janë arrestuar dy persona dhe janë sekuestruar rreth 15 kilogramë heroinë.


Policia ka njoftuar se lidhur me këtë rast janë arrestuar katër persona të dyshuar dhe heroina e sekuestruar është 17 kilogramë.

Sipas njoftimit zyrtar, pas një pune hetimore, autoritetet kanë zbatuar një plan taktik, gjatë të cilit janë kontrolluar katër shtëpi banimi së bashku me objektet përcjellëse të tyre.

Gjatë kontrollit, në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar 34 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë, me peshë të përgjithshme prej 17 kilogramë e 910 gramë.

Po ashtu, janë konfiskuar edhe dy vetura, nëntë telefona mobilë, dy iPad dhe dy pajisje DVR.

Me vendim të prokurorit kompetent, katër të dyshuarit meshkuj shtetas të Kosovës janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar. /Telegrafi/