Policia e Kosovës për pesë ditë më rresht ka qenë cak i disa sulmeve në veri të vendit.

Së fundmi policia është sulmuar dje nga mjete piroteknike në Sharpej të Jarinjës.

Përmes raportit 24 orësh, policia ka njoftuar se derisa njësia e policisë kufitare ka qenë duke vëzhguar, janë dëgjuar dy shpërthime.

“Në këtë rast nuk ka pasur të lënduar si dhe as dëme materiale. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitë përkatëse policore.  Lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit dhe është iniciuar rasti. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport.

Menjëherë pas këtij rasti, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vizitoi pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Sulmohet sërish Policia e Kosovës në veri, dyshohet me mjete piroteknike Sulmohet sërish Policia e Kosovës në veri, dyshohet me mjete piroteknike

Sveçla, tha në orët e hershme të mëngjesit të djeshëm nga grupe kriminale janë sulmuar me mjete shpërthyese veturat e policisë kufitare.

“Sulmi ka ndodhur derisa zyrtarët policor po kontrollonin në rrugët e kontrabandës, të cilat i kemi mbyllur. Gjendja shëndetësore e zyrtarëve policor është e mirë dhe nuk ka dëme materiale”, ka shkruar Sveçla në një postim në Facebook.

Kujtojmë se të premten në një konferencë të jashtëzakonshme, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti bënë të ditur se brenda tri ditëve Policia e Kosovës ishte sulmuar katër herë.

Sulmet ndaj policisë kishin ndodhur me granata dore, AK 47, me vendosjen e iriqëve metalik në rrugë e hedhje të gurëve.

Ndaj këtyre sulmeve kanë reaguar krerët e shtetit, liderë të partive politike në Kosovë, ambasada amerikane, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja. /Telegrafi/