Dështon transferimi i Betim Fazlijit te Zurichu - presidenti i klubit jep detaje

Transferimi i Betim Fazlijit te Zurichu ka dështuar në momentet e fundit të afatit kalimtar.
Mbrojtësi i St. Gallenit nuk i ka kaluar me sukses testet mjekësore, ka bërë të ditur të martën presidenti i Zurichut, Ancillo Canepa, për “Blue Sport”.
Për këtë arsye, klubi zviceran është tërhequr nga transferimi i 27-vjeçarit, pavarësisht se negociatat mes palëve kishin avancuar ndjeshëm dhe marrëveshja ishte praktikisht arritur.

“Negociatat ishin në një fazë të avancuar dhe në thelb kishim arritur një marrëveshje. Problemi ishte kontrolli mjekësor. Nuk është një problem i madh, por do të duhen disa javë derisa ai të jetë përsëri i aftë".
"Në situatën tonë aktuale, na duhet dikush që mund ta aktivizojmë menjëherë. Ai do të kishte qenë perfekt si udhëheqës. Fatkeqësisht, nuk mund ta përfundojmë këtë transferim”, ka deklaruar Canepa.
Fazliji, i cili numëron 23 paraqitje me fanellën e Kosovës, do të vazhdojë të jetë pjesë e St. Gallenit, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2027. /Telegrafi/













































