LAJMI I FUNDIT:

Dëshmia e biznesmenit Kuçi: Nuk e vrava unë turistin rus, vetëm e ngjita në skaf

Dëshmia e biznesmenit Kuçi: Nuk e vrava unë turistin rus, vetëm e ngjita në skaf

Fatmir Kuçi nuk e di se është ai autori i atij aksidenti të rëndë që i ka marrë jetën pushuesit nga Shën Petërburgu paraditen e së mërkurës në afërsi të Livadhit në Himarë.

Versioni i tij dhe i të birit të tij, Jonit, janë një pikë kthese e fuqishme në hetimin e asaj ngjarjeje, ndërsa prokuroria e Vlorës vijon të dyshojë se ka qenë pikërisht kuçi personi që pa dashje ka përplasur shtetasin e huaj me mjetin e tij të ujit duke i shkaktuar edhe vdekjen.


Mirëpo, ndërsa prokuroria pritet të kërkojë masën e arrestit me afat ditën e sotme, bëhet me dije se Kuçi vazhdon të këmbëngulë se nuk është ai autori i ngjarjes dhe se ai bashkë me një person tjetër janë njerëzit që kanë marrë të plagosurin dhe e kanë vënë në mjetin e tij për ta nisur më pas në drejtim të bregut.

“Unë e pashë dhe menjëherë u nisa në drejtim të tij. Në ato momente në atë zonë ka patur edhe mjete të tjera dhe kam parë që nja burrë nga një gomone që gjendej afër më është ofruar dhe më ka dhënë ndihmë. Është afruar edhe im bir, i cili ka qenë me motor dhe i kam thënë të nisej në drejtim të bregut që të lajmëronte ambulancën dhe ashtu ka bërë. Nuk e kam vrarë unë. Unë u përpoqa ta mbaja në jetë. E di që policia thotë se në mjetin tim janë gjetur njolla gjaku. Po është e vërtet se ai ishte i gjakosur në momentin që e nxora dhe e vendosa sipas motoskafit”,  i ka thënë prokurorit të çështjes biznesmeni i cili mësohet se ka qenë me familje duke udhëtuar në afërsi të Livadhit momentin kur është përballur me njeriun e panjohur dhe të gjakosur në det.

Prokuroria ka bërë me dije se janë marrë dëshmitë edhe të djalit dhe të gruas së Fatmir Kuçit, ndërsa nuk bëhet me dije nëse prokuroria apo policia kanë shquar ndonjë person tjetër që ka qenë në ato momente duke udhëtuar në det me mjetet e tyre. Për këtë ngjarje, janë marrë në pyetje e madje do të procedohen edhe punonjësit e policisë të cilët do të hetohen për shpërdorim detyre.

Materiali hetimor

Prokuroria bën me dije se me “datën 03.08.2016 ora 21.00 është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Flamur Kuçi, pasi dyshohet se po këtë ditë, pra me 03.08.2016, rreth orës 11.30, në vendin e quajtur Livadh, bashkia Himarë, në det, disa metra larg bregut me mjetin e tij lundrues skaf ka aksidentuar shtetasin e huaj Denis Kaiumov, i datëlindjes 1973, banues në Shën Petërburg të Rusisë, i cili ka gjetur vdekjen për shkak të plagëve te marra.

Nga hetimet ka rezultuar se viktima prej disa ditësh qëndronte si pushues në Himarë së bashku me familjen e tij, bashkëshorten dhe vajzën, prej rreth 15-ditësh. Ata frekuentonin plazhe të ndryshme në zonat përreth Himarës. Me datë 03.08.2016 kjo familje ishte duke frekuentuar plazhin në vendin e quajtur Livadh dhe rreth orës 11:15 kanë vendosur të largohen nga plazhi në fjalë. Shtetasi Denis Kaiumov ka hyrë në det të notojë ndërsa bashkëshortja e tij me vajzën janë nisur në këmbë për në shtëpinë e tyre të pushimit”.

Ky moment ka qene edhe kontakti i fundit i familjarëve të tij me të ndjerin deri sa janë njoftuar nga shoqëruesja e tyre E. D. për ngjarjen e ndodhur dhe se familjari i tyre ndodhej në Spitalin e Vlorës. Me mbërritjen e viktimës, në Spitalin e Himarës, është bërë këqyrja fizike e jashtme e trupit ku janë konstatuar plagë si ato prerëse në pjesën e shpinës dhe pjesët anësore të trupit si dhe dëmtime të llojeve të tjera në shpine dhe gjymtyrët e poshtme. Menjëherë pas kësaj, viktima është transportuar për në morgun e spitalit rajonal, Vlorë, dhe më pas për në morgun e Institutit te Mjekësisë Ligjore, Tiranë.

Skafi me njolla gjaku

Prokuroria thotë se “janë këqyrur mjetet lundruese të ujit në pronësi të shtetasit Fatmir Kuçi, motoskaf dhe motor uji (model xhetski) ku në kuvertën e skafit, ndërmjet sediljes dhe motorëve të mjetit lundrues, është konstatuar një kasetë, në këndin e sipër të krahut të djathtë të së cilës janë konstatuar njolla me ngjyrë kafe dhe të kuqe, si ato të gjakut të mpiksur. Sërish në kuvertën e skafit, ndërmjet motorit të majtë dhe kasetës së mësipërme, janë konstatuar njolla të tjera me ngjyre të kuqe si ato te gjakut të mpiksur, të cilat janë marrë në cilësinë e provës për ekzaminime të mëtejshme”.

Lidhur me këto njolla gjaku, shtetasi Fatmir Kuçi ka sqaruar se ato janë lënë në momentin që ka gjetur të dëmtuar viktimën dhe e ka hipur në bordin e skafit të tij për ta çuar drejt bregut dhe për t`i dhënë ndihmën mjekësore.

Mjetet lundrues motor skaf me gjatësi 11.7 m me ngjyrë të bardhë dhe një motor deti me ngjyrë jeshile dhe blu me mbishkrimin “Yamaha” në pronësi të shtetasit Fatmir Kuçi, së bashku me dokumentacionin e tyre janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe këto mjete janë lënë në ruajtje të punonjësve të Policisë të Pikës së Kalimit Kufitar, Himarë. Në deklarimet me rëndësi për rrethanat e ngjarjes kanë rezultuar deklarimet e shtetasve V. K , J. K. dhe M. M. ku është vërtetuar fakti se djali i mitur i te dyshuarit i ka shkuar pas motoskafit me motorin e ujit dhe ka konstatuar te atin e tij i cili hipte ne motoskaf një person të dëmtuar. Në këtë moment i dyshuari i ka thënë djalit të tij të dilte në breg dhe të njoftonte ambulancën.

Deklarimet

Ne deklarimin e tij shtetasi Joni Kuçi në prani të nënës së tij ka pohuar faktin se e ka ndjekur të atin në det pa dijeninë e tij dhe e ka parë motoskafin të ndaluar në mes të detit dhe ka parë që i ati i tij i jepte ndihmën një personi të gjakosur. Gjithashtu është këqyrur dhe janë marrë një kopje e librave dhe regjistrave që administroheshin nga punonjësit e policisë së P.K.K. Himarë. Në lidhje mbi këtë ngjarje janë pyetur edhe punonjësit e policisë kufitare ë lidhje me ngjarjen, mbi mënyrën si kanë operuar ata mbi ngjarjen e ndodhur. Po kështu nga verifikimet e kryera nga Prokuroria deri në këtë fazë të hetimeve, rezulton se mjetet lundruese, është i regjistruar në emër të personit nën hetim, Fatmir Kuçi dhe ky mjet lundrues është me flamur nga shteti i Maltës.

Po kështu rezulton se personi nën hetim, është i pajisur me leje drejtimi për mjete lundruese me peshë totale deri ne 10 ton (e vlefshme edhe për mjetin me të cilin dyshohet se është shkaktuar aksidenti, i cili ka peshë totale deri në 6.8 ton), por nuk ka qenë i pajisur me leje lundrimi nga autoritetet kompetente, për mjetin lundrues me te cilin dyshohet se është shkaktuar aksidenti. Njëkohësisht në vazhdën e kryerjes së veprimeve hetimore në lidhje me këtë ngjarje, janë kryer veprime duke u pyetur si persona nën hetim të dyshuar për veprën penale të “Shpërdorim detyre” edhe punonjësit e policisë kufitare të Himarës. Prokuroria thotë se ka të dhëna të mjaftueshme për të vlerësuar se ndodhemi përpara elementëve të figurës të veprës penale të “ Vrasja nga pakujdesia ” dhe “ Shpërdorim detyre”.

Në trend Lajme

Më shumë
Gjashtë të lënduar nga aksidenti në Prishtinë, fotografi nga vendi i ngjarjes

Gjashtë të lënduar nga aksidenti në Prishtinë, fotografi nga vendi i ngjarjes

Kronika e Zezë
Aksident te konviktet në Prishtinë, lëndohen gjashtë persona

Aksident te konviktet në Prishtinë, lëndohen gjashtë persona

Kronika e Zezë
Mosmarrëveshje për “përdorimin” e veturës, burri në Kishnicë deklaron në Polici se nuk dëshiron të jetojë më me gruan

Mosmarrëveshje për “përdorimin” e veturës, burri në Kishnicë deklaron në Polici se nuk dëshiron të jetojë më me gruan

Kronika e Zezë
Një tjetër fitore për Kosovën në Washington

Një tjetër fitore për Kosovën në Washington

Lajme
Gjashtë të lënduarit nga aksidenti në Prishtinë po trajtohen në QKUK

Gjashtë të lënduarit nga aksidenti në Prishtinë po trajtohen në QKUK

Lajme
Shtatë xhaketa të ushtrisë, fishekë e radio lidhje – Policia njofton se çfarë u gjet në shtëpinë e të dyshuarit që sulmoi Policinë dhe KFOR-in

Shtatë xhaketa të ushtrisë, fishekë e radio lidhje – Policia njofton se çfarë u gjet në shtëpinë e të dyshuarit që sulmoi Policinë dhe KFOR-in

Siguri
Kalo në kategori