Vjedhje e ujit në Hajvali, KRU “Prishtina” shkyç 6 lidhje ilegale - rastet dërgohen në Prokurori


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë të ditur se ekipet e saj kanë zbuluar 6 lidhje ilegale të ujësjellësit në lagjen Hajvali, gjatë kontrolleve të zhvilluara brenda vetëm dy orëve.
Sipas njoftimit, të gjitha lidhjet e identifikuara janë shkyçur menjëherë nga rrjeti, ndërsa rastet do t’i procedohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
“Vetëm brenda dy orëve, ekipet tona kanë zbuluar 6 lidhje ilegale në Hajvali,” thuhet në njoftim.
Nga kompania theksohet se lidhjet ilegale përbëjnë vjedhje të ujit dhe dëmtojnë seriozisht sistemin e furnizimit, duke ulur presionin dhe rrezikuar furnizimin e rregullt për konsumatorët që paguajnë rregullisht.
“Lidhjet ilegale nuk janë ‘zgjidhje’, ato janë vjedhje e ujit dhe një nga shkaqet kryesore që dëmtojnë rrjetin,” thuhet më tej.
KRU “Prishtina” ka paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë pa kompromis, duke theksuar se çdo lidhje ilegale do të zbulohet, shkyçet dhe do të përballet me pasojat ligjore. /Telegrafi/








































