LAJMI I FUNDIT:

Deontay Wilder rrëfen momentin e vështirë në duelin e parë kur për pak sa nuk u nokautua nga Luis Ortiz

Deontay Wilder rrëfen momentin e vështirë në duelin e parë kur për pak sa nuk u nokautua nga Luis Ortiz
Deontay Wilder dhe Luis Ortiz (Foto: Al Bello/Getty Images/Guliver)

Më 23 nëntor të këtij viti, Deontay Wilder do të ndeshet për të dytën herë me Luis Ortiz, ndaj të cilit e mbrojti titullin e kampionit të WBC-së në mars të vitit 2018.

Në një rrëfim për Sky Sports, kampioni i botës e ka treguar nga perspektiva e tij të gjithë atë që ndodhi në raundin e shtatë në Barclays Center të Brooklynit, kur ishte në moment shumë të vështirë dhe për pak sa nuk u nokautua nga kundërshtari i tij.


“Është dashur të kaloj shumëçka në duelin e parë, sidomos në raundin e shtatë, mirëpo nuk ishte asgjë. Në atë raund po flisja me veten dhe e kisha shumë të qartë se çfarë po ndodhte”.

“U ngacmova, u ngacmova shumë, por e kisha vetëdijen dhe po e këshilloja veten. ‘Vazhdo të godasësh, Deontay, qëndro afër’… Kur e tejkalova raundin e shtatë dhe dola për të tetin, Ortiz më mbushi me energji”.

“U sigurova që t’ia jepja dy goditje, jo për ta lënduar, por për t’ia bërë të qartë se isha akoma aty”, ka thënë Wilder për Sky Sports.

Wilder premton se do ta mposhtë Ortizin "në mënyrë shkatërruese"
Lexo po ashtu Wilder premton se do ta mposhtë Ortizin "në mënyrë shkatërruese"

Ai ka pranuar se ka qenë në një moment të vështirë në raundin e shtatë të atij dueli dhe natyrisht se nuk do të dëshironte që diçka e tillë të përsëritej më 23 nëntor.

Deontay Wilder (Foto: Al Bello/Getty Images/Guliver)

“Padyshim (që ishte moment i vështirë). E di se çfarë mund të bëj. Por, dua t’ua dëshmoj njerëzve secilën herë nga e para. E pranoj atë sfidë”.

“Që si fëmijë, është dashur t’ua dëshmoj njerëzve. Ata asnjëherë nuk kanë besuar tek unë. Njësoj edhe tash, nuk ka asnjë ndryshim”.

“Doni të dini një gjë për Deontay Wilder? Ai e bën ashtu siç thotë. Pas meçit (të parë), unë thash: ‘Duhet të kemi një rimeç'”, ka deklaruar kampioni i pamposhtur i WBC-së. /Telegrafi/