LAJMI I FUNDIT:

Dedaj: Veturat më të vjetra se 10 vjet në Kosovë janë 80 për qind të amortizuara

Veturat më të vjetra se 10 vjet në Kosovë janë 80 për qind të amortizuara dhe se në këtë drejtim duhet të ketë një mbikëqyrje më të madhe nga organet shtetërore.

Kështu shprehet për Telegrafin eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj duke shtuar se qytetari duhet të zgjedh ndërmjet veturës së re e me kosto të mirëmbajtjes më të lirë dhe asaj të vjetrës me çmim më të shtrenjtë.


“Automjetet të cilët i kalojnë 10 apo 12 vite konsiderohet si të amortizuar për 80 për qind, prej këtij pozicioni nëse e shikojmë, atëherë ato duhet ta kenë një përkujdesje më të madhe nga organet shtetërore, për sa i përket kontrollimit teknik. Ne e dimë se në Kosovë e kemi kontrollimin teknik periodik për automjetet zyrtare ose për ato që janë në shërbim për palën e tretë, si dhe kontrollimin e rregullt, sidomos e kemi kontrollimin e jashtëzakonshëm”, tha Dedaj.

Sipas tij, paralelisht me ndryshimin e Ligjit për Automjetet duhet të jetë edhe ndryshimi i Ligjit për Doganimin e Automjeteve.

“Paralelisht me ndryshimin e Ligjit për Automjetet duhet të jetë edhe ndryshimi i Ligjit për Doganimin e Automjeteve, për shkak se qytetarit duhet t’i ofrohet që përmes sistemit të lehtësimit të lehtësimit të doganave, duhet të ofrohet i njëjti çmim i 12-vjecarit me 6-vjecarin, ku në këtë formë atëherë do të kishim mundur ta ruajmë sigurinë në komunikacion, rifreskimin e veturave për një periudhë deri 5-vjeçare deri në 10-vjeçare, ku pastaj duhet të bëhet analizimi për futjen e ekotestit”, thekson ai.

Dedaj shton se Kosova mund të bëhet një deponi në qoftë se ne nuk e ndryshojmë Rregulloren mbi Importin e Veturave.

Kosova me vetura të vjetra, importi i tyre është afro 10 vjet më i vjetër se në BE
Lexo po ashtu Kosova me vetura të vjetra, importi i tyre është afro 10 vjet më i vjetër se në BE

“[Kosova] mund të bëhet një deponi në qoftë se ne nuk e ndryshojmë Rregulloren mbi Importin e Veturave, për shkak se ende mbetet në fuqi që vetura 6-vjecare duhet të jetë më e shtrenjtë se 12-vjecari, atëherë kjo do të na sjell llomin e të gjithë Evropës. Nëse e ndryshojmë tarifën që 6-vjecari duhet të jetë më i lirë se 12-vjecari, sigurisht që do ta kemi një freski të automjeteve të reja edhe një freski të sigurisë në komunikacion për sa i përket faktorit automjet”, pohon Dedaj.

“Nëse mbeten me të njëjtat tarifa doganore, sigurisht që do ta sjellin, për arsye e kemi tarifën e doganës që e simulon sjelljen e veturave të vjetra. Elementare është që të ndryshohet Ligji mbi Doganimin e Automjeteve, atëherë e lejojmë qytetarin që të zgjedh ndërmjet veturës së vjetër me çmim më të shtrenjtë apo asaj të re me çmim më të lirë”, shton ai.

Eksperti i komunikacionit thekson se procedurat aktuale të doganimit e kanë bërë t mundshme që të importohen veturat e vjetra.

“Me qenë se procedurat e doganimit janë të tilla, ku na është imponuar hyrja e veturave të vjetra, pastaj kriminaliteti në automjete, largimin e numrit të shashisë e bartja në automjete tjera, ku të gjitha këto fenomene i ka bërë shteti, pra ua ka mundësuar qytetarëve. Merreni e shikojeni Agjencinë e Statistikave, ku e shihni që 80 për qind e veturave janë mbi 17 vjet. Do të thotë që qytetari nuk ka pasur mundësi që ta blejnë një veturë të re për shkak të procedurave doganore”, thekson Dedaj.

Mjetet motorike dhe jo motorike të regjistruara 2011-2021 | Burimi: ASK

“Ajo që unë preferojë është që qytetari duhet ta zgjedh një veturë të re, pavarësisht se kostoja mund me qenë më e madhe e për sa i përket sigurisë rrugore gjithmonë qytetari duhet ta ketë parasysh drejtimin e automjeteve brenda kushteve të rrugës, që nuk i kemi të përshtatshme”, përfundon ai.

Që nga 1 janar 2018 të gjitha veturat e kategorisë më të vjetra se 10 vjet dhe ato që nuk kanë motor të standardit “Euro 4” nuk mund të zhdoganohen brenda territorit të Kosovës.

Kjo ishte bërë për shkak të kufizimeve ligjore në import dhe për të ruajtur ambientin nga lirimi i gazrave të makinave.

Neni 44 i Ligjit mbi Automjetet, që është miratuar qysh në vitin 2017, thotë se “mjetet rrugore që importohen në Kosovë, nuk mund të jenë më të vjetra se 10 vjet”.

Përcaktimi i vjetërsisë merret për bazë viti i parë i regjistrimit i cili duhet të jetë brenda periudhës 01 janar deri 31 dhjetor të vitit 2012.

Në përgjithësi mesatarja e vjetërsisë se veturave që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet, apo rreth 10 vjet më shumë sesa mesatarja e veturave që qarkullojnë brenda Bashkimit Evropian. /Telegrafi/