LAJMI I FUNDIT:

Debutimi fantastik i Jalen Blesa te Prishtina – vetëm një lojtar ka bërë më mirë se ai

Debutimi fantastik i Jalen Blesa te Prishtina – vetëm një lojtar ka bërë më mirë se ai

Futbollisti 22-vjeçar i FC Prishtinës, amerikano-spanjolli, Jalen Aleix Blesa, debutoi me dy gola dhe një asistim ndaj Dukagjinit, në fitoren e skuadrës së tij me rezultat 3-1.

Blesa është futbollisti i dytë pas luftës i skuadrës më i suksesshëm para portave kundërshtare si debutues.


Më parë, nga 1999 kur FC Prishtina ka grumbulluar statistikat, vetëm sulmuesi Astrit Fazliu kishte debutim më efikas.

Fazliu, në vitin 2009, në ndeshjen e parë të edicionit, në stadiumin e qytetit kishte shënuar het-trik në fitoren e lartë kundër Hysit, 5-2. Ishte kjo ndeshje e vlefshme e Superkupës së Kosovës.

Kurse, statistikën e Blesës më parë e kishte arritur vetëm sulmuesi, Oto John. Nigeriani John, i sapoardhur nga Skënderbeu, në vitin 2020, në ndeshjen hapëse të pranverës, kishte realizuar dy gola dhe një asistim kundër Vushtrrisë në fitoren e lartë, 4-1, shkruan faqja zyrtare e klubit.

Jalen Blesa, në stinorin pranveror është paraqitur në skuadrën e Rahovecit, në Ligën e Parë, ku në 12 ndeshje realizoi 10 gola dhe dha dy asistime.

Blesa nuk është futbollisti i vetëm që si realizues i Ligës së Parë transferohet në Prishtinë, pasi që në edicionin 2007/08, po në pranverë, kishte nënshkruar me golgeterin e Ligës së parë të Istogut, Suad Saliagiq./Telegrafi/