LAJMI I FUNDIT:

Si e sollën shqiptarët kafenë në Evropë?

Si e sollën shqiptarët kafenë në Evropë?

Cili shqiptar e shkroi poezinë e parë për kafenë? Si e dërguan shqiptarët kafenë në katër qendrat më të mëdha të Evropës: në Venedik, në Londër, në Paris dhe në Vjenë. Kush ishte Pashk Rosi, njeriu që iu betua londinezëve se kafja nuk të bën mysliman? 

Dashamirët e kafesë janë të njohur me kualitetin e lartë të makiatos në Kosovë. Tani më makiaton e Kosovës e ka lavdëruar edhe shtypi elitar botëror. Kjo nuk është për t’u habitur, pasi që pirja e kafesë ka hyrë herët në traditën e shqiptarëve. Në realitet, shqiptarët janë evropianët e parë që e kanë shijuar dhe adaptuar kafenë si pije kombëtare.


Historia e kafesë është interesante dhe rruga e saj deri në Evropë ka qenë e gjatë. Para shqiptarëve kafenë e kanë pirë turqit, të cilët këtë pije e morën nga arabët. Mendohet që njerëzit për herë të parë kafenë e provuan në Etiopi në shekullin e XI-të.

Pastaj, kafeja kaloi në Jemen ku filloi të piqet, të zihet dhe të pihet në formën e sotshme. Nga Jemeni kafeja depërtoi në vendet tjera arabe dhe në Turqinë e sotshme. Në fund të shekullit XVI duket që kafeja ka mbërri në Evropë te shqiptarët.

Udhëpërshkruesi i famshëm Evlija Çelebiu e ka vizituar Kosovën në vitin 1660, Shqipërinë e veriut më 1662, kurse Shqipërinë e jugut në vitin 1670. Në mes tjerash, Çelebiu shkruan për hanet (bujtinat), tavernat, shtëpitë dhe parqet e shumta të shqiptarëve, ku në mes salltanateve tjera, pihej edhe kafja. Kjo ishte koha kur popujt tjerë të Evropës nuk kishin ndonjë ide për këtë pije.

Kafeja te shqiptarët u popullarizua aq shumë sa që për të janë shkruar edhe poezi. Në vitin 1725 poeti shqiptar nga Berati, Muçi Zade, e shkroi poezinë: “Imzot, mos na lerë pa kahve”.

Duket që shqiptarët kanë krijuar shprehi apo vartësi ndaj kafes sa që poeti i lutet Zotit që të mos i linte pa të, sidomos gjatë muajit të Ramazanit – siç shihet edhe në këto dy strofë të poezisë:

Për hyzmet të Fatimesë
Për shenjërit që janë vatë
Mos më le për iftar thatë
Imzot, mos na lerë pa kahve!
Për hyzmet të Fatimesë
Për të mirët e Mejremesë
Mos më lerë me lëng t’armesë
Imzot, mos na lerë pa kahve!

Një shekull para se të shkruhej kjo poezi, shqiptarët filluan që këtë pije ta përhapnin te popujt tjerë të Evropës. Historia shënon se në fillim të shekullit XVII kafja eksportohej nga tregtarët shqiptarë në Venedik. Besohet se kafehania e parë në Venedik është hapur në vitin 1645. Por, tri raste tjera janë më interesante.

Rasti i parë ka të bëjë me hapjen e kafehanes së parë në Londër që u bë në vitin 1652 nga një shqiptar i quajtur Pashk Rosi, i cili në shënimet historike britanike është i regjistruar si Pasqua Rosee. Pashku ka qenë shtetas otoman i lindur në Tuz e i cili kishte shkuar në Londër me partnerin e tij të biznesit që ishte një anglez i quajtur William Oldys.

Në qendër të Londrës Pashku hapi kafehanen luksoze të modelit që ekzistonte në Stamboll, ku ai kishte jetuar një kohë të gjatë. Megjithatë, anglezët e atëhershëm nuk hynin në lokalin e Pashkut, pasi që besonin se pija e zezë, pra kafja, ishte një lloj magjie të cilën posa ta pish të ndërrohet feja dhe bëhesh mysliman.

Kot mundohej Pashku t’i bindte anglezët se edhe ai e pinte kafenë, por kishte mbetur i krishterë. Më në fund, Pashku, për t’ua hequr këtë frikë anglezëve, ishte detyruar që me shkrim të betohej se asgjë religjioze nuk do t’ju ndodhte nëse pinin kafe. Bile, Pashku e ka ngjitur në dritare të kafehanes letrën e këtij betimi. Kështu, myshterinjtë filluan të vinin një nga një dhe kafja u popullarizua në Londër e në tërë Anglinë, por kurrë nuk ia zuri vendin çajit.

Pashku ka merita edhe për përhapjen e kafesë në Francë. Në vitin 1672, pas 20 viteve përvojë të kafexhiut në Londër, Pashk Rosi shkoi në Paris për ta hapur kafehanen e parë në kryeqytetin e Francës. Në Paris Pashku e pati më lehtë dhe kafeja u popullarizua më shpejtë se në Angli.

Rasti i dytë i përhapjes së kafesë ka të bëjë me Rrethimin e Dytë të Vjenës (1683). Veziri i Madh dhe komandanti suprem i Ushtrisë otomane në këtë rrethim ka qenë Kara Mustafë Pasha që vinte nga familja e famshme shqiptare e Quprilinjëve. Para se të niseshin për Vjenë, Mustafa kishte urdhëruar oficerët e tij që të merrnin me vete mijëra thasë me kafe. Ky urdhër i kishte habitur të gjithë, përfshirë sulltan Mehmetin e IV-të. Rrugë e gjatë nga Stambolli në Vjenë dhe oficerët otomanë, sikurse edhe ushtarët, nuk mund të rrinin pa kafe. Kushedi se si do të sillej hesapi!?

Sidoqoftë, Mustafa i Quprilinjëve mori me vete kafe shumë më tepër se që i duhej. Pas dy muajve të rrethimit të Vjenës, otomanët u detyruan të tërhiqeshin. Tërheqja ishte kaotike dhe Ushtria otomane la pas veti në fushëbetejë shumë armë, por edhe 500 thasë me kafe. Oficerët austriakë silleshin me shumë kujdes përreth thasëve duke menduar se ishte barut. Pas inspektimeve u mor vesh qe thasët përmbanin një material tjetër, por nuk e dinin se çka ishte.

Hutia zgjati derisa aty erdhi Georg Franz Kolschitzky i cili kishte punuar disa vite në Stamboll dhe që e njohu kafenë. Kolschitzky i mori thasët me kafe dhe e hapi kafehanen e parë në Vjenë të cilën e emëroi ‘Zur Blauen Flasche’ (Shishja e Kaltër). Pas pak vitesh, në Vjenë u shumuan kafehanet, kurse kafeja u bë pije e preferuar e austriakëve.

Kara Mustafa i Quprilinjëve u ekzekutua pasi që dështoi ta pushtonte Vjenën. Megjithatë, ai e pushtoi Vjenën me diçka tjetër: me kafe. Më herët, njësoj vepruan tregtarët shqiptarë dhe Pashk Rosi.

Prandaj, do të ishte mirë që evropianët, por edhe shqiptarët si evropianë, sa here të pinë kafe ta përkujtojnë këtë kontribut të shqiptarëve. Sidomos në mëngjes kur kafeja u ndihmon t’i qelin sytë më lehtë nga gjumi. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Karnavalet, origjina dhe domethënia

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Kulture
“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

Kulture
Biznesi i filmave ... mbaroi!

Biznesi i filmave ... mbaroi!

Kulture
Përdorimi i fjalëve të huaja dhe disa huazime të sotme në gjuhën shqipe

Përdorimi i fjalëve të huaja dhe disa huazime të sotme në gjuhën shqipe

Fjala+
Veshjet popullore shqiptare, në kartolinat e vjetra

Veshjet popullore shqiptare, në kartolinat e vjetra

Fotografia
“Veprimtaria e Faik Konicës”

“Veprimtaria e Faik Konicës”

Kulture
Kalo në kategori